Lidhje

Presidenti i zgjedhur Obama takohet me Presidentin Bush


Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe Presidenti i zgjedhur Barak Obama patën dje takimin e tyre të parë zyrtar në Shtëpinë e Bardhë. Korresponentja e Zërit të Amerikës Pola Uolfson njofton se takimi historik mes të dy burrave me pikëpamje të ndryshme politike u krye me dyer të mbyllura.

Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara e priti me një shtërngim duarsh dhe buzëqeshje personin që do të bëhet Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara.

Ata hynë në Shtëpinë e Bardhë së bashku me bashkëshortet e tyre dhe pas pak minutash dolën për të shkuar në Zyrën Ovale. Bisedimet ishin private, pjesë kjo e transferimit të rregullt të pushtetit.

Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Obama kritikoi Presidentin Bush dhe tha se zgjedhja e kandidatit republikan për president, Xhon Mekein, në thelb do të thoshte një mandat i tretë për Presidentin Bush.

Por zoti Obama dhe zoti Bush kanë premtuar një transferim të rregullt të administratës. Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino tha se takimi ishte “i mirë, konstrutiv, i çiltërt dhe miqësor”:

"Natyrisht, që ata kanë pikpamje të ndryshme politike, por ata e duan vendin njëlloj. Dhe pikërisht dashurinë për vendin ata do ta vënë në plan të parë dhe do të bashkëpunojnë që gjithçka të shkojë përpara normalisht”.

Ky është transferimi i parë i pushtetit në 4 dekada, që ndodh kur vendi është në luftë. Aleks Bërns i Politico-dot-com thotë se sfida është e madhe:

“Për të garantuar vazhdimësinë e qeverisjes në kohë lufte, për mendimin tim, është një sfidë shumë e madhe dhe kushdo që bëhet komandant i përgjithshëm, duhet të sigurojë sëpari publikun se gjithçka është nën kontroll”.

Por sipas anketave menjëherë pas zgjedhjeve, zoti Obama fitoi kryesisht për shkak të shqetësimeve rreth ekonomisë amerikane. Mark Rom, profesor i shkencave politike në

“Ai do të punojë për t’u vënë fre prirjeve agresive të Uoll Stritit. Kjo do të thotë të vihet nën kontroll dhe të bëhet më i përgjegjshëm sektori i financave”.

Një zëdhënës i presidentit të zgjedhur tha se kjo ishte hera e parë që zoti Obama vizitoi Zyrën Ovale. Më 20 janar, kjo do të bëhet zyra e tij dhe po atë ditë, familja Obama do të fillojë procesin për ta bërë Shtëpinë e Bardhë rezidencën e saj. //iç//


Të ngjashme

XS
SM
MD
LG