Lidhje

Prishtinë: Shpërthim pranë Zyrës Civile Ndërkombëtare


Një shpërthim ka ndodhur sonte në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare në Prishtinë, por pa pasoja në njerëz. Policia e cila po e mban të bllokuar vendin e ngjarjes nuk ka dhënë shumë hollësi rreth këtij shpërthimi, i cili ka lënë pas vetes dëme të vogla materiale. Zëdhënësi i përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë dhe Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian Piter Feith dënoi fuqishëm shpërthimin duke u zotuar ndërkaq se kjo zyrë do të vazhdojë të punojë për të mirën e popullit të Kosovës dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Ishte i menjëhershëm edhe reagimi i institucioneve të Kosovës. Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi e dënuan me gjuhë të ashpër incidentin e sotëm.

“Dënojmë në mënyrën më të mundshme shpërthimin në zyrat e ICO-së. E themi pa hezitim se kryerësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës. E themi se asgjë e lere më një përpjekje e tillë e shëmtuar nuk do të zbeh respektin që populli i Kosovës ka respektin për bashkimin evropiane dhe atë ndërkombëtare në përgjithësi, dhe përkushtimin tonë të fuqishëm për të qenë partnerë të besueshëm të bashkësisë ndërkombëtare”, - tha presidenti Fatmir Sejdiu.

“Asnjë incident, asnjë shpërthim, asnjë pretendim i tillë i ulët nuk do të mund ta luhatë politikën pro-perëndimore të Kosovës, pro evropiane, pro amerikane, të besimit dhe respektit të thellë për gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Kosova ka qenë vend i qetë dhe do të mbetet i qetë, prandaj zotimi ynë është thellimi me autoritetet ndërkombëtare, ICO ka qenë e ftuar dhe e mirëpritur dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen në Kosovë”, - tha kryeministri Hashim Thaci

Të dy udhëheqësit u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës të mbajnë qetësinë dhe të vazhdojnë të ruajnë qetësinë dhe të siç thuhet, të jenë faktor i rëndësishëm dhe ndihmues për qëndrueshmërinë e vendit.

Shpërthimi ndodhi në një periudhë tensionesh lidhur me bisedimet në vazhdim ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtarë lidhur me procesin e ri konfigurimit të pranisë civile ndërkombëtarë në vend. Prishtina ka kundërshtuar një marrëveshjes gjashtë pikëshe të arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit që parasheh një shkallë të autonomisë në fushat e policisë, drejtësisë e doganave në veriun vendit, skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Autoritetet thanë se është herët të flitet për motivet e shpërthimit të sotëm dhe nëse ai ka të bëjë me procesin aktual politik.

”Ne s’do të donim t’i ndërlidhnim por armiqtë e popullit të Kosovës, armiqtë e Kosovës mund të provojnë gjithçka. Për ne është me rëndësi që kemi shprehur qëndrimin tonë se e dënojmë vërtetë këtë akt dhe paralelisht edhe njëherë ri konfirmojmë besimin tonë të plotë në rrugën që kemi, në bashkëpunimin që kemi, në partneritetin tonë që kemi”, - tha presidenti Sejdiu.

Udhëheqësit e Kosovës ripërsëritën qëndrimin kundërshtues ndaj planit, por edhe mirëpritjen e vendosjes së Misionit të EULEX-it dhe shtrirjes së tij në tërë vendin.//lk

XS
SM
MD
LG