Lidhje

Media turke nën presione ligjore dhe politike


Në Turqi, një gazetë e vogël por mjaft e gjallë ka vënë në shënjester institucionet duke lëkundur praktikën e zakonshme të heshtjes në mediat turke. Gazeta Taraf, e cila ka burime të shumta informimi brenda ushtrisë turke, ka publikuar artikuj të njëpasnjëshëm sensacionalë ku demaskohet ndërhyrja e ushtrisë në politikë. Por gazeta vazhdon të përballet me presione ligjore dhe politike.

Bordi i kryeredaktorëve të gazetës Taraf po diskuton mbi kërcënimin e fundit për ndjekje penale ndaj tyre nga forcat e armatosura turke. Ky kërcënim vjen pas një publikimi të dokumentave sekrete në të cilat akuzohet ushtria për neglizhencë në rastin e vrasjes së 17 ushtarëve turq nga një sulm i separatistëve kurdë pranë kufirit me Irakun.

Zëvendës kryeredaktorja Jasmin Congar paralajmëron se gazeta mund të bastiset në çdo moment. Por redaktorët thonë se do të vazhdojnë punën pavarësisht nga kërcënimet.

“Është e qartë se ushtria është e zemëruar si asnjëherë më parë. Komentet e fundit të shefit të ushtrisë ishin më të ashprat deri tani. Por luftimet në kufirin me Irakun do të vazhdojnë në se mediat nuk bëjnë pyetje të tilla si : Pse vazhdon lufta? A po bën ushtria të pamundurën me mundësitë që ka? A mund të zgjidhet problemi kurdë me veprime ushtarake? Në se bëhën këto pyetje kur ushtria ose qeveria nuk e kanë kryer punën e tyre, atëherë çdo kush do të fillojë të verë në dyshim veprimet e tyre. Ndoshta ne po vëmë në dyshim edhe vetë ligjëshmërinë e kësaj lufte.”

Gjatë luftimeve 25 vjeçare kundër separatistëve kurdë, media turke rrallë herë ka vënë në pikëpyetje udhëheqjen e gjeneralëve dhe veprimet e tyre në këtë konflikt.

Gazeta Taraf e ka ndryshuar një gjë të tillë me burimet e informacionit që ajo ka brenda rangjeve të larta të ushtrisë.

Në një artikull, gazeta njoftonte për grupin ultranacionalist Ergenokon të përbërë nga ish gjeneralë të ushtrisë, pjestarë të grupeve ekstremiste dhe gazetarë të njohur të cilët planifikonin grushte shteti.

Kryeministri Reçep Taip Erdogan i dënoi kritikat e gazetës Taraf për ushtrinë turke dhe luftën e saj kundër separatistëve kurdë.

"Nuk ka vend për dobësi ose hezitim në këtë luftë dhe askush nuk duhet t’i paraqesë forcat e sigurimit si të dobëta ose hezituese. Ne kemi sakrifikuar shumë njerëz, jemi të lënduar dhe ende e ndjejmë dhimbjen," tha zoti Erdogan.

Gazeta Taraf kritikon si ushtrinë e fuqishme ashtu edhe qeverinë ndërsa shumë nga gazetarët e saj ndeshen me kërcenime për arrestim apo ndekje penale për shkak të ligjeve të ashpra turke për luftën kundër terrorizmit.

Njohësi i shkencave politike, Sali Ozel në universitetin Bilgi të Stambollit thotë se gazeta po luan një rol me rëndësi tani që lufta kundër Partisë Komuniste të Kurdistanit vazhdon, luftë që ka marrë jetën e afër 40 mijë njerëzve dhe së cilës nuk po i duket fundi.

“Kjo është me shumë rëndësi. Mund të mos e pëlqeni mënyrën se si veprojnë ata apo llojin e gazetarisë që përdorin. Por, po të mos kishin qenë ata nuk do të flitej fare për këto shqetësime. Mendoj se ata u kanë dhënë zë shqetësimeve të njerëzve mbi vazhdimin e luftës për të cilën askush nuk merr përgjegjësi”, thotë zoti Ozel.

Qeveria nuk ka vënë në shënjestër vetëm gazetat por edhe një mijë faqe internetit që kanë përmbajtje politike duke përfshirë edhe videot në internet ku kritikohet themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturk.

Profesori i mjeteve të komunikimit, Berke Bas i Universitetit Bilgi thotë se veprime të tilla pasqyrojnë mentalitetin e kontrollit që ka shteti dhe faktin që Turqia ende nuk po arrin të përqafojë një botëkuptim më modern, ndryshe nga vende të tjera që e kuptojnë se teknologjia ështe e pandalshme dhe vështirë se mund të kontrollohet.

Kërcënimet dhe bastisjet ndaj gazetës Taraf mund të priten në çdo moment. Mbetet të shihet nëse kjo gazetë do të ketë fatin e disa mediave të tjera që iu kundërvunë shtetit i cili më në fund i detyroi të mbylleshin. Kjo do të jetë një provë për të parë se sa i lirë është shtypi në Turqi. //ad//

XS
SM
MD
LG