Lidhje

Irak: Qeveria miraton marrëveshjen e sigurisë për praninë e trupave amerikane




Kabineti qeveritar irakian miratoi një marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara, e cila i lejon trupat amerikane të qëndrojnë në këtë vend deri në fund të vitit 2011.

Të 28 ministrat e qeverisë irakiane, përveç njërit, votuan të dielën në favor të kësaj marrëveshjeje, mbas thuajse një vit negociatash të vështira me Uashingtonin. Zëdhënësi i parlamentit të Irakut tha se ligjvënësit do të votojnë për këtë marrëveshje në 24 nëntor.

Marrëveshja e sigurisë u jep forcave amerikane bazë ligjore për të qëndruar në Irak edhe mbas përfundimit të afatit të caktuar nga OKB-ja, në fund të muajit tjetër. Gjithashtu në këtë marrëveshje vendoset dhe një afat, që të gjitha trupat amerikane të largohen nga Iraku deri në fund të vitit 2011.

Zëdhënësi i qeverisë së Irakut Ali al-Dabbagh tha se për këtë çështje, Bagdati do të përpiqet që të arrijë një marrëveshje të re me Uashingtonin.

Shtëpia e Bardhë e mirëpriti miratimin e marrëveshjes nga kabineti qeveritar irakian. Ndërsa mbështetësit e klerikut radikal shiit Moktada al-Sadër e denoncuan këtë hap të qeverisë, duke thënë se kjo marrëveshje harron atë që ata e quajnë “pushtimi amerikan” i Irakut. //mm//


XS
SM
MD
LG