Lidhje

Në Kinë shtohet interesimi për Konfucin dhe filozofinë e tij


Mësimet e Konfucit e kanë orientuar shoqërinë kineze për më shumë se 2 mijë vjet. Me vendosjen e sistemit komunist Konfuci ra nga popullariteti por në Kinën moderne interesimi për të po shtohet.

Tempujt e Konfucit kudo në Kinë janë kuriozitete për turistët. Por kurioziteti nuk është askund më i madh se sa në Qy-fu ku një ndër çdo 5 banorë është pasardhës i Konfucit. Ky qytet me 600 mijë banorë po përpiqet të ketë pjesën e vet në industrinë turistike të vendit, e cila është në rritje. Vizitorët vijnë këtu për të parë qytetin e lashtë me mure, një vend dikur qendër e gjallë e kulturës kineze. Turistëve që u pëlqen jeta e natës mund të shohin një shfaqje festive bazuar mbi jetën dhe mësimet e Konfucit.

Përmes këngëve dhe valleve, filozofi i lashtë kujtohet si njeriu që solli një farë rregulli moral në Kinën e përçarë. Idetë e tij për marrëdhëniet dhe kulturën e udhëheqësve kanë ndikuar në të gjitha shoqëritë e Azisë Lindore. Kong Fanpeng, i cili i përket brezit të 74 si pasardhës i Konfucit, thotë se historia filloi pikërisht këtu.

"Qyfu është vendlindja e Konfucit, origjina e konfucianizmit, sistemit filozofik të krijuar nga Konfuci." - thotë ai

Ai thotë se Qyfu tërheq turistë kinezë dhe të huaj të cilët vijnë këtu për të mësuar mbi Konfucin dhe idetë e tij. Daniel Bell, pedagog në Universitetin Tsinghua të Pekinit, sheh një interes të shtuar te Konfuci në Kinën moderne.

"Me zhvillimin ekonomik të Kinës, ka një sens në rritje krenarie dhe natyrshëm njerëzit janë më të interesuar për traditat e tyre." thotë ai

Konfuci ka patur ulje-ngritjet e tij. Në Kinën perandorake ai shihej si perëndi. Vizitorët ende bëjnë homazhe dhe luten në tempullin historik të Konfucit. Ata lenë aty lutje me shkrim për të patur shëndet të mirë ose nxënësit për të dalë mirë në shkollë. Konfuci përbuzej nga zyrtarët komunistë të fillimit. Varri i tij dhe ai i pasardhësve të tij u vandalizuan gjatë Revolucionit Kulturor. Por këto vende historike sot janë riparuar dhe në Institutin e Konfucit në qytetin Qyfu, njerëzit studiojnë idetë e filozofit të madh. Dhe historia e tij po tregohet përsëri sot me plot bujë dhe lavdi këtu në Qufu, vendlindja e Konfucit. //mm//

XS
SM
MD
LG