Lidhje

SHBA: Shitjet me rastin e Krishtlindjeve


Ata që i kanë lënë pazaret për minutën e fundit po shfrytëzojnë uljet drastike të çmimeve ndërsa shitësit me pakicë mundohen të tërheqin blerësit e fundit për të nxjerrë fitime. Me shitjet e sezonit të festave, ndër më të ultat në vite, shitësit me pakicë po përpiqen të nxjerrin fitime në kushtet kur ekonomia amerikane po shfaq dobësi të shumta.

Komplekset e dyqaneve amerikane po përpiqen shumë për të mbajtur gjallë shpirtin e festave dhe për shitësit me pakicë kjo do të thotë ulje drastike e çmimeve.

Menaxheri i Best Buy-it, David Delissio thotë se gati çdo gjë në dyqanin e elektronikës është me ulje.

“Ka shumë artikuj me zbritje, Blu Rays, kamerat, GPS”.

Por në disa dyqane ka pak njerëz që blejnë.

“Jam përpjekur të kursej sepse janë kohë të vështira. Jemi në recesion”, thotë një grua.

“Plani është të mos shpenzojmë por kur hyn në dyqan të merr turma dhe të prishet mendja”, thotë një burrë.

Në Arlington të Virxhinias, pranë Uashingtonit, shumë njerëz shfrytëzojnë uljet e çmimeve nga 20 deri në 70 përqind.

Një turist nga Afrika e Jugut thotë se është çuditur nga gjithë këto skonto.

“Nuk e di në se kështu ndodh gjithmonë para Krishlindjeve. Gjatë gjithë kësaj jave kudo që shkon ka shenja për 25, 50 apo 70 përqind zbritje”.

Shumë dyqane përpiqen të ofrojnë çmime më të ulta sesa konkurrentët. Disa ofrojnë zgjatjen e ofertave të kthimit të mallrave për ti inkurajuar njerëzit të blejnë.

Për disa, kjo është kohë e shkëlqyer për të blerë.

Por edhe me shitjet e shumta pas festës së falenderimeve, 2008 ka qënë një vit i vështirë për shitësit me pakicë.

Ekonomisti David Uajz thotë se shumë nga shitësit do të dalin me humbje.

“Pamë shifra më të mira se ç’prisnim ditën pas festës së falenderimeve. Por qysh atëherë, gjërat nuk duket se po lëvizin dhe besoj se do të qëndrojnë kështu gjatë Krishlindjeve”.

Një raport i ri nga Këshilli Ndërkombëtar i Qëndrave të Dyqaneve parashikon se shitjet në Amerikën e Veriut do të jenë të paktën një përqind më të ulta sesa vitin e kaluar. Kjo është shifra më e ulët që nga viti 1969. (ze)

XS
SM
MD
LG