Lidhje

Rusia ndërpret furnizimin me gaz të Ukrainës


Rusia ndërpreu furnizimet me gaz natyror drejt Ukrainës pas mosmarrëveshjes mbi borxhet dhe çmimin. Secila palë fajëson tjetrën dhe të dyja kanë siguruar konsumatorët evropianë se furnizimet nuk do të ndërpriten. Një zëdhënës i Gazpromit tha se problemi kryesor nuk janë mosmarrëveshjet për çmimin por fakti që delegacioni ukrainas në bisedimet në Moskë nuk kishte mandat për të nënshkruar marrëveshjen. Kompania ukrainase e gazit Nafto Haz thotë se bisedimet u ndërprenë pas refuzimit të Rusisë për të negociuar çmimin për kalimin e gazit në pjesën tjetër të Evropës. Sot Rusia bëri thirrje për një raund të ri bisedimesh por nuk është njoftuar ndonjë afat. Republika Çeke që mori sot presidencën e BE-së, u bëri thirrje palëve të respektojnë angazhimet e tyre dhe të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje.

RUSI-UKRAINË: MARRËDHËNIE TË TENSIONUARA

Rusia dhe Ukraina e mbyllën vitin 2008 me një mosmarrëveshje të hapur lidhur me furnizimet me gaz përmes një tubacioni të rëndësishëm që furnizon një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore.

Një zëdhënës për gjigandin rus të gazit, Gazprom, gjatë një konference për shtyp dje në Moskë kishte sjellë me vete një letër që thoshte se mbante firmën e kreut të kompanisë ukrainase të gazit. Zëdhënësi tha më tej se letra kërcënonte të ndërpriste rrjedhën e gazit që kalon përmes tubacionit në drejtim të Evropës Perëndimore dhe mbulon 25 për qind të nevojave të atij rajoni për gaz natyror.

Zëvendës Shefi i Gazpromit, Aleksander Medvedev e cilësoi letrën si shantazh dhe si një akt të pashembullt në historinë e tregtisë ndërkombëtare të energjisë. Ai shtoi se Ukraina do të kryente shkelje të kontratës që kishte nënshkruar për të vazhduar furnizimin e Evropës Perëndimore deri në fund të vitit 2010.

Zoti Medvedev thotë se ukrainasit nuk kishin dhënë përgjigje kur ishin pyetur përse nuk donin të respektonin kontratën. Ai tha se ukrainasit këmbëngulin se nuk ka ndonjë kontratë, megjithëse u është parashtruar dokumenti me firma dhe ligjet përkatëse. Ata thjesht nuk duan marrëveshje, thotë zyrtari i Gazpromit.

Një zëdhënës për kompaninë ukrainase të gazit, Naftohaz, i tha Zërit të Amerikës se detyrimet e kompanisë për periudhën deri në vitin 2013 kanë të bëjnë vetëm me sistemin për transportin e gazit. Sipas zotit Valentin Zemlianski, marrëveshjet për çështje specifike diskutohen dhe nënshkruhen në baza vjetore.

Zoti Zemlianski thotë se marrëveshje të tjera janë nënshkruar për vëllimin dhe cilësinë e gazit si dhe për konston e transportit dhe ai vë në dukje se nuk është nënshkruar ndonjë marrëveshje për këto çështje për vitin 2009. Zyrtarë të lartë të Gazpromit kanë bërë deklarata kundërthënëse lidhur me statusin e pagesave nga ana e Ukrainës të borxhit prej 2 miliardë dollarësh që Kievi i ka Gazpromit.

Shefi i Gazpromit Alexei Miller thotë se fondet nuk janë transferuar ende në llogaritë e kompanisë. Kjo deklaratë u bë një ditë pasi Ukraina deklaroi se i kishte paguar detyrimet për gazin e transportuar gjatë muajve nëntor dhe dhjetor. Ndërkohë një ndër zëvendës shefat e Gazpromit, zoti Alexander Medvedev thotë se pagesat janë marrë.

Shefi i Gazpromit Alexei Miller tha se duhet të ketë një marrëveshje të nënshkruar në mënyrë që Rusia të ketë baza ligjore për të vazhduar transportin e gazit në Ukrainë pas 1 janarit. Gazpromi është përpjekur të rrisë çmimin e gazit për Ukrainën gjatë 2009-s, në 418 dollarë për 1 mijë metra kub, një shifër mbi 2 herë më e lartë se çmimi aktual. Në vitin 2006, konsumatorët në Evropën Perëndimore ndeshën një rënie të presionit të gazit përmes tubacioneve, pasi Rusia ndërpreu furnizimin e Ukrainës pas një mosmarrëveshjeje të ngjashme në mes të dimrit.

Kryeministri rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se marrëdhëniet e Ukrainës me Rusinë dhe Bashkimin Evropian do të dëmtohen rëndë nëse Kievi ndërpret rrjedhjen e gazit për në Evropën Perëndimore. //ad//

XS
SM
MD
LG