Lidhje

Rajs: SHBA duan armëpushim të qëndrueshëm në Rripin e Gazës


Administrata e presidentit Bush tha të premten se dëshiron të shohë një armëpushim në Rripin e Gazës sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo kthim tek marrëveshja e mëparshme e shkelur nga Hamasi. Zyrtarët amerikanë mohojnë t’i kenë dhënë Izraelit dritën jeshile për të vazhduar sulmet në Gazë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dejvid Gollast njofton nga Departamenti i Shtetit.

Sekretarja e Shtetit Kondolisa Rajs ritheksoi përkrahjen amerikane për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e Gazës. Megjithatë, ajo tha se administrata e presidentit Bush nuk do të shohë një kthim tek situata e muajit të kaluar, kur marrëveshja e ndërmjetësuar nga Egjipti prishej herë pas here nga raketat e Hamasit që hidheshin në Izrael.

Komentet e sekretares Rajs për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, pas një mbledhjeje me presidentin Bush, ishin të parat nga një zyrtar i lartë i administratës që kur Izraeli filloi fushatën e tij ajrore në Gaza me 27 dhjetor. Sekretarja amerikane fajësoi tërësisht Hamasin për krizën e tanishme.

Zonja Rajs tha se fraksioni militant islamik e ka mbajtur Rripin e Gazës peng që kur mori pushtetin në mënyrë të paligjshme atje, dhe e ka përdorur atë si vend për hedhjen e raketave kundër Izraelit, duke shkaktuar krizën humanitare në Gazë. Sekretarja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza por e bëri të qartë se administrata e presidentit Bush nuk është e interesuar të ketë një marrëveshje të re armëpushimi e cila do të prishej si ajo e mëparshmja.

“Ne po punojmë për një marrëveshje që nuk do të lejojë rivendosjen e gjendjes së mëparshme, ku Hamasi hidhte raketa nga Gaza. Është e qartë se armëpushimi duhet të ndodhë sa më parë. Po duhet të arrihet një marrëveshje që të jetë e fortë dhe e qëndrueshme.”

Zonja Rajs tha se ajo ka qenë në kontakte të vazhdueshme me shtetet kryesore arabe, me Izraelin dhe aleatët evropianë për të gjetur një zgjidhje për situatën në Gaza, por tha se tani për tani nuk kishte ndër mend të shkonte në Lindjen e Mesme.

Departamenti i Shtetit tha se sekretarja Rajs e kaloi pjesën më të madhe të ditës së Vitit të Ri në telefon me kryeministrin Izraelit Ehud Olmert dhe ministrat e jashtëm të Britanisë, Jordanisë, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Telefonatat vazhduan edhe dje me të tjerë si ministri i jashtëm i Republikës Çeke Karel Shvarcenberg, qeveria e të cilit sapo ka marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe po organizon një mision paqeruajtës të BE-së në rajon.

Diplomatët amerikanë janë të angazhuar mbi çështjen Gazës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Libia ka paraqitur një rezolutë nga Lidhja Arabe e cila bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, ndërkohë që dënon Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar. Masa nuk i përmend raketat e Hamasit kundër Izraelit dhe ambasadori amerikan në OKB Zalmaj Kalilzad thotë se është e paekuilibruar dhe e papranueshme në formën e tanishme.

Kriza në Gaza ka nxitur protesta anti-izraelite në të gjithë botën arabe dhe vende të tjera, shumë prej të cilave kanë vënë në shenjestër edhe Shtetet e Bashkuara si aleatin kryesor të Izraelit dhe furnizuesin e tij me armë.

Departamenti i Shtetit thotë se amerikanët nuk i kanë dhënë dritën jeshile Izraelit për operacionet e tij dhe shpreh shpresën se publiku arab do ta kuptojë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një armëpushim që do të respektohet plotësisht nga të dy palët.

“Të deklarosh një armëpushim dhe ai të mos respektohet nuk është zgjidhje. Shpresoj që opinioni në botën arabe ta kuptojë se çfarë po përpiqemi të bëjmë.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Gordon Xhondrou tha se presidenti Bush ka biseduar gjithashtu me kryeministrin Ehud Olmert dhe se Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Izraelit të shmangë viktimat civile në Gaza dhe të ndihmojë në furnizmin me ndihma humanitare.

Hamasi i ka arsyetuar sulmet e tij me raketa kundër Izraelit si rezistencë ndaj operacioneve izraelite në Gaza dhe refuzimit për heqjen e bllokadës në këtë zonë që ka qenë nën kontrollin e Hamasit që nga viti 2007. //bsa//

XS
SM
MD
LG