Lidhje

Mitrovica veriore tronditet nga shpërthime dhe protesta


Policia në Kosovë thotë se shpërthime dhe protesta kanë tronditur qytetin e ndarë të Mitrovicës, në vazhdën e tensioneve etnike që morën shkas nga plagosja me thikë e një serbi në fillim të javës.

Shpërthimet e para ndodhën të premten jashtë një kafeneje, duke dëmtuar makina por pa shkaktuar viktima. Ato u pasuan nga një shpërthim tjetër sot në mëngjes nga i cili u plagosën 6 vetë, duke përfshirë zjarrfikësit që po shuanin një zjarr në lagjen boshnjake.

Në fillim të kësaj jave, sipas policisë, serbët që protestonin dogjën disa dyqane, pronë e shqiptarëve.

Një zëdhënës tha se paqeruajtësit e NATO-s shtuan praninë e tyre në Mitrovicën veriore pas plagosjes së serbit dhe dhunës që pasoi këtë incident.

Policia arrestoi dy të rinj shqiptarë pas incidentit të së martës dhe sipas agjencisë franceze të lajmeve, që të dy ata janë liruar pasi u morën në pyetje ndërsa viktima është jashtë rrezikut.

Ndërkohë, në një deklaratë të përbashkët, K-FOR-i dhe EULEX-i thanë se nuk do të lejojnë dhunën në Kosovë. K-FOR tha se po e rrit praninë në Mitrovicë, ashtu sikurse edhe EULEX-i në veriun e Kosovës. Si KFOR, edhe EULEX, i bënë thirrje popullit të Mitrovicës të ruajë qetësinë dhe të ndalë çdo veprim të dhunshëm. //ii

XS
SM
MD
LG