Lidhje

Iraku pjesë e traktatit kundër armëve kimike


Iraku nënshkroi një traktat ndërkombëtar që ndalon zhvillimin, prodhimin, magazinimin dhe përdorimin e armëve kimike.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tha sot se kjo masë tregon përkushtimin e Irakut për çarmatimin dhe mos-përhapjen e armëve. Iraku është vendi i 186 që i bashkohet traktatit. Në vitin 1988 presidenti i atëhershëm irakian Sadam Husein ndërmori një sulm me armë kimike ndaj pakicës etnike kurde.

Ndërkaq sot, policia irakiane tha se një sulm me makinë-bombë la të vrarë 2 vetë dhe plagosi të paktën 2 të tjerë në qytetin verior Mosul. Zyrtarët thonë se autori i sulmit aktivizoi lëndën plasëse në një postbllok të ushtrisë irakiane pranë qendrës së qytetit.

Ushtria amerikane e ka përshkruar Mosulin si bazën e fundit urbane të al-Kaidës. Megjithë rënien e ndjeshme të dhunës në vend, Mosuli, i populluar nga një përzierje grupesh etnike dhe fetare mbetet një ndër qytetet më të trazuara në Irak. (ze)

XS
SM
MD
LG