Lidhje

Roli i Amerikës në botë nën udhëheqjen e Barak Obamës


Presidenti i zgjedhur Barak Obama ka thënë se administrata e tij ka më pak gjasa të mbështetet tek kërcënimi i forcës ushtarake për të bindur ose ndikuar vendet e tjera dhe ka më shumë mundësi të përdorë format joushtarake të sigurisë kombëtare, duke u bërë më tërheqës përmes idealeve, kulturës dhe mënyrës së jetës amerikane.

Fuqia ushtarake amerikane nuk mund të vihet në pikëpyetje, trupat amerikane janë ndër më të mirëstërviturat dhe mirëpajisurat në botë dhe ato ndodhen në rreth 130 vende. Por, ndërsa superioriteti amerikan është rritur, reputacioni i SHBA dhe aftësia për të bindur të tjerët kanë rënë ndjeshëm. Një anketim i kohëve të fundit i organizatës Pew Global tregon se edhe në vendet që janë aleate të ngushta me SHBA-të, qëndrimi pro-amerikan ka pësuar rënie. Anketat e fundit thonë se shumica e të intervistuarve mendojnë se ka ardhur koha që trupat amerikane të largohen nga Iraku dhe Afganistani.

Nensi Snou, profesore në fushën e diplomacisë publike në universitetin e Sirakuzës në Nju Jork thotë se pro-amerikanizimi nëpër botë do të shtohet me zgjedhjen e Barak Obamës si president. "Bota mezi po priste zgjedhjen e zotit Obama. Dhe kështu ndodhi. Besoj se që në atë moment ndjenjat anti-amerikane filluan të zbehen. Por nuk dihet sesa do të zgjasë kjo, pasi tani vjen pjesa më e vështirë. Por si kandidat që kërkoi ndryshim, zoti Obama solli vërtet një ndjenjë të re”.

Gjatë fjalimit të fitores natën e zgjedhjeve në Çikago, presidenti i zgjedhur Obama premtoi një fillim të ri për udhëheqjen amerikane në botë. Ai premtoi se do ta çonte vendin në një drejtim tjetër, ndryshe nga administrata e presidentit Bush. Ai ka thënë se do të mbyllë burgun e Guantanamos që në ditët e para të mandatit të tij dhe deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të përdorin teknika si simulimi i mbytjes me ujë gjatë marrjes në pyetje të individëve me qëllimin e marrjes së informacioneve.

Nensi Snou thotë se zoti Obama e ka të qartë se do të jetë shumë e rëndësishme që bota të rifitojë besimin tek Amerika. Profesorja Snou thotë se zoti Obama mund të përfitojë nga aftësia e tij për të komunikuar me botën dhe nga e kaluara e tij shumëkulturëshe për të rifituar aftësitë amerikane për të ushtruar me sukses mënyrat joushtarake të fuqisë shtetërore, përmes diplomacisë dhe programeve të zhvillimit.

Kristen Lord, eksperte e marëdhënieve amerikano-islamike në institutin Brukings në Uashington thotë se ka besim që zoti Obama do ndryshojë menjëherë tonin e dialogut me vendet e tjera. "Kur amerikanët tregojnë se duan të dëgjojnë, të merren me çështjet më të rëndësishme me të cilat përballen shoqëritë myslimane, edhe pse duket paradokasale, kjo do t’i bënte Shtete e Bashkuara edhe më të sigurta”.

Gjatë seancës së konfirmimit në Senat, zgjedhja e zotit Obama për postin e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, u zotua se do t’u qëndronte larg, siç i quajti ajo, qëndrimeve ideologjike, që sipas analistëve ndoqi diplomacia nën drejtimin e presidentit Bush.

"Besoj se bota ka ende nevojë për udhëheqjen amerikane. Duhet të përdorim atë që është quajtur mënyrë inteligjente e përdorimit të pushtetit, të gjitha elementet e sigurisë kombëtare, ato diplomatike, ekonomike, ushtarake, politike, ligjore dhe kulturore si dhe përzgjedhjen e elementeve të duhur për çdo situatë. Kjo do të jetë në krye të diplomacisë sonë”.

Zonja Klinton tha se ajo dhe zoti Obama do të përpiqeshin që së pari të bindin të tjerët e të mbështeten tek forca ushtarake, vetëm si mjet i fundit. Ajo thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë miq dhe të kenë më pak armiq dhe i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të fuqizohet dhe të marrë fondet që i takojnë, për të shfryqëzuar mundësitë e shumta, të nevojshme për të rolin udhëheqës.

Ish Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld, njihet për skepticizmin e tij ndaj së ashtuquajturave forma joushtarake të sigurisë kombëtare. Sipas zotit Ramsfeld fitimi i simpatisë së vendeve të tjera nuk duhet të drejtojë politikat e jashtme amerikane.

Ka nga ata që thonë se nga zoti Obama pritet shumë, që ai të zgjidhë problemet e shumta të botës dhe ata pranojnë se do të jetë e paevitueshme që do të ketë zhgënjime. Por miliona vetë nëpër botë pritet të ndjekin inaugurimin e presidentit të ri me ndenjën e krenarisë dhe të shpresës për një të ardhme më të mirë. Ata do të kërkojnë një udhëheqje ndryshe nga administrata e zotit Obama. //ad//

XS
SM
MD
LG