Lidhje

Senati miraton 350 miliardë dollarët e kërkuara nga zoti Obama


Senati amerikan miratoi dje kërkesën e Presidentit të zgjedhur Barak Obama për një fond prej 350 miliardë dollarësh, për t'u ardhur në ndihmë bankave dhe pronarëve që rrezikojnë t'i humbin shtëpitë. Senati votoi 52 vota pro dhe 42 kundër për planin. Kjo masë pritet të hidhet në votim në Dhomën e Përfaqësuesve javën e ardhshme.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Harri Rid u bëri thirrje ligjëvenësve që të mos votojnë për masën e paraqitur nga republikanët, për bllokimin e gjysmës së paketës për stimulimin e ekonomisë, me vlerë prej 350 bilion dollarësh, duke thënë se këto fonde do të luajnë një rol vendimtar në përpjekjet e presidentit të zgjedhur Barak Obama për të përmirësuar situatën e vështirë ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

“Unë besoj se ky plan paraqet rrugën e shpëtimit për vendin tonë”, - tha zoti Rid.

Kongresi miratoi planin për stimulimin e ekonomisë, me vlerë prej 700 miliardë dollarësh në përgjigje të krizës financiare në fund të vitit të kaluar, duke rënë dakord për të dhënë gjysmën e parë të kësaj shume menjëherë, por duke i kërkuar presidentit që të kërkojë pjesën tjetër të fondeve.

Sipas këtij ligji, në se ligjëvenësit dëshirojnë, ata kanë 15 ditë në dispozicion, për të bllokuar kërkesën e presidentit për të marrë gjysmën e dytë të shumës së të hollave nga plani për stimulimin e ekonomisë.

Presidenti Bush, duke vepruar në bazë të kërkesës nga Presidenti i zgjedhur Obama, i cili do të fillojë punën të martën, i bëri thirrje Kongresit këtë javë të lirojë shumën e mbetur nga plani për stimulimin e ekonomisë.

Por shumë ligjëvenës mes demokratëve dhe republikanëve, besojnë se pjesa e parë e të hollave me vlerë prej 350 miliardë dollarësh, nuk do të mund t’i zgjidhë problemet ekonomike të vendit, dhe ata janë të zemëruar, se pjesa më e madhe e këtij fondi u përdor për t’u ardhur në ndihmë prodhuesve të automobilëve, që ishin afër falimentimit, si dhe bankave.
Senatori republikan Kristopfer Bond përfaqëson Shtetin e Mizurit.

“Taksapaguesit janë ngopur me planet e shpëtimit dhe unë jam shumë i shqetësuar me faktin që qeveria po ndërhyn në tregun privat” ,- tha ai.

Këshilltari ekonomik i zotit Obama, Lerri Samers u përpoq t’i risigurojë ligjëvënsit, se administrata e Obamës do t’i shfrytëzojë fondet me mençuri, duke përdorur disa prej tyre për të ndihmuar pronarët e shtëpive që nuk janë në gjendje të paguajnë kredinë e bankës.
Këto pohime i ndihmuan për të fituar demokratët që kishin dyshime për planin, duke përfshirë edhe Senatorin nga shteti Konnetikat, Kristofer Dod.

“Unë e di që do të ketë më shumë përgjegjësi, dhe shumë më tepër transparencë. Pjesë e kësaj nisme do t’u ndihmojë pronarëve që rrezikojnë të humbin shtëpitë,”- tha ai.

Përmes një letre, presidenti i zgjedhur Obama e mirëpriti veprimin e Senatit dhe ai tha se e kupton që nuk ishte e lehtë për të votuar në favor të kësaj mase pas shumë zhgënjimeve që njerëzit pësuan përsa i përket mënyrës se si u zbatua pjesa e parë e planit. Ai u zotua se do ta ndryshojë mënyrën se si do të zbatohet plani për stimulimin e ekonomisë, duke vendosur kushte të ashpra për pagat e ekzekutivëve të kompanive, duke dhënë më shumë kredi për bizenset e vogla dhe duke ofruar më shumë transparencë, në mënyrë që taksapaguesit të mund të shohin se si po shpenzohen këto fonde.//lk



XS
SM
MD
LG