Lidhje

Barak Obama - Një stil i ri në presidencën amerikane


Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, solli në fushatë atë që shumë analistë e shikojnë si një prirje dhe stil të ri. Jo vetëm që ai tërhoqi masa të mëdha njerëzish kur fliste për ndryshime, por frymëzoi shumë të tjerë që ndihmuan vullnetarisht.



Edhe gjatë periudhës së tranzicionit, presidenti i ri ka ndjekur në një farë mase stilin dhe novacionet e tij të fushatës për të sjellë ndryshime. Në Virxhinia, disa nga vullnetarët e fushatës së presidentit të zgjedhur vazhdojnë të punojnë intensivisht, ndërsa afrohet dita e inaugurimit.

Në një ditë dimri me shi, dy muaj pas zgjedhjeve, një grup nga këta vullnetarë organizuan një debat në një nga bibliotekat e qarkut Laudën të Virxhinias.

Të pranishmit diskutojnë 12 çështjet që ka përballë presidenti i ri. Pothuajse të gjithë u informuan për këtë diskutim nëpërmjet internetit. Në fakt zoti Obama e ka shfrytëzuar në një formë novatore teknologjinë e internetit, siç është rasti me fjalimet që ai mban çdo të shtunë të cilat i fut në YouTube.

Thomas Gensemer tregon se si fushata tërheq donatorët. Në kompaninë e tij politike në Internet, Blue State Digital, përdoruesit e avancuar të kompjuterit, krijuan një rrjet social për të tërhequr vullnetarët të ndiqnin takimet, të vepronin dhe të ndanin me të tjerët nëpërmjet videove, përvojën e tyre.

“Krijohet një moto për t’i udhëhequr njerëzit nga një veprim në tjetrin”, thotë Gensemer.

Motoja u kthye në një refren që kandidati vetë e përsëriti shpesh.

“Ju keni bërë atë që cinikët thonë se ne nuk mund ta bënim”.

Edhe në vende të tjera të botës, presidenti i zgjedhur, atëhere Senator Obama, u prit me entuziasën gjatë turneut të tij në muajin korrik.

Ashtu si edhe në Shtetet e Bashkuara, zoti Obama tërhoqi masa të mëdha njerëzish, si ajo në Berlin, megjithë ndjenjat anti-amerikane në Gjermani.

Ekspertët shikojnë tek zoti Obama një president, historia personale e të cilit mund t’i shërbejë rivendosjes së besueshmërisë së Amerikës nëpër botë dhe Interneti krijon mundësinë për të komunikuar me publikun e huaj.

Thomas Miller punon me grupin Biznesi jo fitimprurës për Veprim Diplomatik.

“Parimet dhe objektivat për çfarë duhet arritur globalisht janë shumë të ngjashme, për mendimin tim, me ato brenda vendit”.

Megjithë mesazhin e tij për ndryshime, presidenti i zgjedhur u kritikua gjatë fushatës për atë që gazetarët e cilësuan si kontroll të tepruar.

Korrespondenti i revistës Newsweek, Riçard Uolfi, ndoqi nga afër fushatën. Ai thotë se momenti më i keq ishte kur zoti Obama qendroi në Uashington në muajin qershor për t’u takuar me Senatoren Hillari Klinton, ndërsa organizatorët e fushatës i larguan gazetarët me avion, incident që zoti Uolfi e shikon si rrëmbim të shtypit.

Disa kanë ngritur dyshime nëse administrata Obama do të jetë më e hapur se ajo e paraardhësit të tij Xhorxh Bush.

“Më duket se ekziston dëshira për të krijur përshtypjen se do të jetë më e hapur”.

Por në Laudën të Virxhinias, njerëzit janë optimistë.

“Ai na ka bërë të kemi përsëri besim në vetvete. Unë mendoj se pikërisht ky besim është ai që do të ndryshojë sistemin politik në vendin tonë”.

Vullnetarët shikojnë një rilindje amerikane që mund ta ketë burimin në vetë stilin e Barak Obamës i cili brenda pak ditësh do të jetë president i Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG