Lidhje

Dita e parë në detyrë e presidentit Obama


Presidenti amerikan Barak Obama do ta kalojë ditën e parë të plotë në detyrë, duke u marrë me disa nga çështjet më të vështira që kanë të bëjnë me ekonominë, krizën financiare dhe luftrat në Irak dhe Afganistan.

Një ditë pasi bëri betimin, presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara do të takohet me këshilltarët e tij ekonomikë për të diskutuar mbi përpjekjet për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Zoti Obama ka mbështetur një plan prej 800 miliardë dollarësh, për të stimuluar ekonominë, që ka si objektiv ruajtjen ose hapjen e miliona vendesh pune.

Ai do të takohet gjithashtu me zyrtarë të lartë ushtarakë për të diskutuar për luftrat në Irak dhe Afganistan.Zoti Obama kishte premtuar gjatë fushatës presidenciale se do t’i tërhiqte trupat nga Iraku brenda 16 muajsh. Ai ka gjithashtu në plan që të vazhdojë me planin e ish-Presidentit Bush për të dyfishuar praninë e trupave në Afganistan.

Në fjalimin e tij të inaugurimit dje, zoti Obama e pranoi se po e merrte detyrën në një kohë krize dhe u kërkoi amerikanëve ta ndihmojnë për të përballuar sfidat që shtrihen përpara. //bsa//

XS
SM
MD
LG