Lidhje

Politika e re amerikane për mbrojtjen e mjedisit


Presidenti Obama mori dje masa për të rritur efikasitetin e karburantit dhe për të pakësuar sasinë karbonit që çlirohet nga automjetet amerikane. Presidenti urdhëroi Agjencinë për Mbrojtjen e Ambjentit që të rishikojë kërkesat nga më shumë se 10 shtete për të vendosur standarde për çlirimin e gazeve nga automjetet që të jenë më të rrepta sesa rregullat aktuale federale. Po dje, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton emëroi një të dërguar amerikan për ndryshimet klimatike.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se Amerika duhet të bëjë më shumë përpjekje për të prodhuar energji të pastër.

Ai tha se varësia e Amerikës tek nafta e huaj është një nga kërcënimet më serioze për vendin.

“Kështu mbështeten diktatorët, paguhet për përhapjen bërthamore dhe financohen të dyja krahët e betejës sonë kundër terrorizmit. Nga kjo varësi, populli amerikan vihet në mëshirën e uljes dhe ngritjes së çmimeve të naftës dhe aftësia jonë për konkurrencë bie”.

Zoti Obama udhëzoi rregullatorët federalë që të rishikojnë rregullat që ndalojnë shtetet të vendosin standarde më të rrepta për çlirimin e gazeve.

Po ashtu ai udhëzoi Departamentin e Transportit që të detyrojnë kompanitë e makinave të prodhojnë makina më efiçente për modelet e vitit 2011.

“Rritja e efektivitetit të karburantit në makinat tona është një ndër hapat më të rëndësishme që ne mund të ndërmarrim për të pakësuar varësinë tek nafta e huaj. Po ashtu do të ndihmojë për t’i dhënë shtysë shpikjeve të reja që duhen për të siguruar që industria e makinave të ecë me ritmin e konkurrentëve në gjithë botën”.

Kjo masë për çlirimin e gazeve, nëse miratohet nga rregullatorët federalë do ta lejonte Kaliforninë dhe shtete të tjera të vendosnin standardet e tyre.

Sipas propozimeve të Kalifornisë, kompanitë e automjeteve do të shkurtonin çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë me 30 për qind tek makinat e reja dhe kamionët e lehtë deri në vitin 2016.

Presidenti tha se e kupton që industria e automjeteve, e cila po merr 17 miliardë dollarë hua nga qeveria, është në vështirësi.

“Më lejoni ta bëj të qartë: Synimi ynë nuk është që të rëndojmë më tej një industri që po vuan, është që të ndihmojmë kompanitë e automjteteve të përgatiten për të ardhmen”.

Zoti Obama tha se energjia e pastër është thelbësore për të luftuar ngrohjen globale.

Po dje, Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton emëroi Tod Stërnin, një ish-negociator për çështjet e klimës, si të dërguar të posaçëm për ndryshimet e klimës.

“Ne po dërgojmë një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do të jenë energjike, të përqendruara dhe serioze lidhur me ndryshimet klimatike dhe energjinë e pastër”.

Zoti Stern ishte kryenegociatori ameirkan në bisedimet për Protokollin e Kiotos në administratën e Presidentit Bill Klinton. (ze)

XS
SM
MD
LG