Në Uashington, specialistët u mblodhën për të diskutuar gjendjen aktuale dhe të ardhmen e pyjeve tropikale të globit. Siç mësojmë në reportazhin në vazhdim, megjithëse është shqetësuese tkurrja e sipërfaqeve të pyllëzuara në brezin tropikal të globit, zhdukja e specieve që jetojnë në këtë ekosistem përbën një problem edhe më alarmant:
Pyjet tropikale në mbarë globin janë mjedisi i jetesës për larminë më të madhe të specieve të planetit tonë. Por aktualisht, sipërfaqe të mëdha të këtyre pyjeve janë rrafshuar dhe shumë specie janë zhdukur ose janë pranë zhdukjes. Shkencëtarët po diskutojnë tani shanset e tyre për mbijetesë dhe të ardhmen e pyjeve tropikale.
"Rreth 25 përqind e specieve të zbuluara
të gjitarëve konsiderohen në rrezik të zhduken, pjesa më e madhe e tyre në
pyjet tropikale." thotë Kristian Semper
Kristian Semper, drejtor i Muzeut Kombëtar për Historinë e Natyrës ishte organizator i takimit. Ai thotë se të paktën një e katërta e sipërfaqes së pyjeve tropikale të botës është zhdukur gjatë 150 vjetëve të fundit.
"Ajo që na shqetëson më tepër është situata që pritet gjatë 50 vjetëve të ardhshëm, kur parashikojmë se do të zhduket edhe 25 përqind e kësaj sipërfaqeje."- thotë aiZoti Semper dhe shkencëtarë të tjerë pohojnë se zhdukja e këtyre sipërfaqeve është rezultat i një numër faktorësh, por më vendimtarët janë shpyllëzimet për lëndë drusore dhe bujqësi.
Kërcënime të tjera përfshijnë mbipopullimin, ndotjen dhe ndryshimet klimatike, speciet agresive dhe gjuetinë.
Instituti i Studimeve Tropikale Smithsonian në Panama është qendra më e vjetër dhe më e madhe e botës për biologjinë tropikale. Eldrixh Bermingam, drejtori i kësaj qendre, thotë se pyjet tropikale në disa zona janë në gjendje kritike:
"Shqetësimi më i madh tani është zhdukja e specieve në Azinë
juglindore." - thotë ai
Najxhel Stork është shkencëtar në Universitetin e Melburnit në Australi. Ai thotë se pjesa më e madhe e specieve të zhdukura janë insekte që kanë një rol kyç. Ai shpjegon përvojën e Australisë disa dekada më parë kur në atë kontinent u sollën gjedhët:
"Në Australi nuk ekzistonin organizma
indigjene për të shpërbërë jashtëqitjet e lopëve dhe mijëra hektarë tokë po
mbuloheshin nga jashtëqitjet që në vend që të shpërbëheshin brenda 3 muajsht si
në kontinente të tjera, në Australi donin 7 vjet. Si rezultat kishte një mori
mizash." - thotë ai
Elizabeth Benet e Programit për Gjuetinë dhe Faunën pranë Shoqatës për Mbrojtjen e Florës dhe Faunës thotë se gjuetia për arsye komerciale është bërë biznes global dhe u ofron vendeve të zhvilluara mish kafshësh ekzotike, kafshë shtëpiake, gëzofë dhe trofe si dhëmbë elefanti apo kokë luani.
"Në vitin 2000, Sumatra eksportonte çdo javë në Kinë 25 tonë breshka." - thotë zonja Benet
Zonja Benet thotë se kompanitë e drurit kanë hapur rrugë në zona të largëta, duke u dhënë mundësi qasjeje gjuetarëve. Por alternativa më e frikshme është "sindroma e pyjeve të boshatisur."
"Sindroma e pyjeve të boshatisur është
një fenomen ku pylli vetë është pak a shumë i paprekur. Pra nga satelite apo
nga avioni duket si një pyll i shëndetshëm, por nga gjuetia pa kriter ka mbetur
i heshtur." - shton ajo
Shumë shkencëtarë pohojnë se megjithëse vetë pyjet tropikale mund të mbijetojnë në një formë apo një tjetër, speciet që strehohen në to, mund të zhduken. Si rezultat, mund të përfundojmë me një larmi bimore në një botë që ka humbur ekuilibrin biologjik.//mm//