Lidhje

Një sulm vetëvrasës në Sri Lanka shkakton 28 viktima


Ushtria e Sri Lankës tha se një vetvrasëse shkaktoi 28 viktima pasi aktivizoi lëndën shpërthyese në mes të një grupi civilësh që po largoheshin nga zona e luftës në veri të vendit.

Zëdhënësi i ushtrisë tha se gruaja dyshohet të jetë rebele e tigrave tamilë. Ajo aktivizoi bombën pranë një kampi ndihmash sot në Vishvamadu. Të paktën 45 persona, shumica gra dhe fëmijë u plagosën.

Zëdhënësi tha se gruaja hodhi veten në erë ndërsa ushtarët po e kërkonin atë pranë kampit. Shumica e viktimave ishin ushtarë. Rebelët nuk komentuan për incidentin.

Ky njoftim nuk u konfirmua nga burime të pavarura meqë vëzhguesit dhe media e pavarur nuk mund të hyjnë në zonën e luftës.

Ushtria në Sri Lanka tha se zyrtarët e saj po japin ndihma mjekësore, ushqimore dhe ujë në vijën e frontit për 14 mijë civilë që po largohen nga zona e luftës.

Zyrtarët e OKB-së llogarisin se gati 250 mijë njerëz janë bllokuar në luftime.

Ushtria e Sri Lankës akuzon rebelët se po përdorin civilët si mburoja. Rebelët thonë se civilët janë bllokuar nga operacionet e vazhdueshme ushtarake. (ze)

XS
SM
MD
LG