Lidhje

Senati miraton paketën stimuluese, palët fillojnë bisedimet


Senati amerikan miratoi një plan stimulimi ekonomik prej 838 miliardë dollarësh, për të cilin administrata Obama thotë se do të krijojë miliona vende të reja pune dhe do të ndihmojë për ta nxjerrë ekonominë nga recesioni.

Tre republikanë iu bashkuan demokratëve në votimin e Senatit për të miratuar paketën stimuluese me 61 vota pro dhe 37 kundër.

Presidenti Obama e përshëndeti rezultatin e votimit gjatë një takimi në formë debati në shtetin Florida.

Ai e quajti miratimin e projektligjit një fillim të mirë por paralajmëroi se do të duhet më shumë punë.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati duhet të arrijnë tani një variant kompromisi të paketës para se ajo të kthehet në ligj nga Presidenti. Konferenca për sheshimin e diferencave mes varianteve filloi të martën mbrëma.

Si demokratët ashtu edhe Presidenti synojnë që projektligji të jetë nënshkruar deri më 16 shkurt, përpara se Kongresi të fillojë pushimet.

Ndërkohë, Sekretari i Thesarit, Timothi Gajtner shpalli plane që parashikojnë përdorimin e deri në 2 trilion dollarëve për të ndihmuar sistemin bankar amerikan.

Zoti Gajtner propozoi një numër nismash, si zgjerimi i një programi për huadhënien që mbështet tregun e kredive të konsumatorëve dhe të biznesit.

Ai propozoi gjithashtu që qeveria të financojë firma private për të blerë asete problematike pronash të patundshme. Republikanët e kanë kritikuar projektligjin për stimulimin e ekonomisë si një shpenzim të dëmshëm.

VEMENDJA TANI TE BISEDIMET PËR VARIANTIN PËRFUNDIMTAR

Në kushtet kur ekonomia amerikane është zhytur në recesion të thellë dhe shumë njerëz kanë humbur punën, rreziqet janë të mëdha prandaj është mjaft i madh edhe presioni mbi anëtarët e Kongresit që kanë filluar tashmë negociatat për arritjen e variantit përfundimtar të paketës.

Udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Steni Hojer, dha shenja se bisedimet do të jenë të vështira kur tha se varianti i Dhomës së Përfaqësuesve dhe ai i Senatit përcaktojnë përparësi të ndryshme, të cilat kërkojnë një debat të thellë.

Duke iu referuar tre senatorëve republikanë të moderuar të cilët u bënë forca kryesore për arritjen e kompromisit në Senat, ai tha se Dhoma e Përfaqësuesve nuk duhet të vihet në një pozitë të tillë ku tre njerëz të vendosin se ç’duhet bërë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi, pasi doli nga një takim i demokratëve, përmendi shqetësimet që kanë ligjvënësit demokratë në prag të bisedimeve mes dy palëve.

"Kolegët tanë janë të gëzuar për atë që mund të arrihet por kanë edhe shqetësime për disa nga diferencat mes Dhomës dhe Senatit. Ne premtuam se, meqenëse varianti ynë, pra ai që u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve, parashikon krijimin e më shumë vendeve të punës, ne do të shkojmë në bisedime për të luftuar për këto vende pune."

Udhëheqësi i shumicës, Hojer, la të kuptohet se konferenca e cila filloi të martën mbrëma, mund të zgjatet edhe javën e ardhëshme. Zonja Pelozi dhe udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit, Herri Rid, thonë se shpresojnë për një përparim të shpejtë.

"Ne shpesojmë të arrijmë diçka brenda 24 orësh çka të paktën do të na çojë në drejtimin e duhur."

Rid dhe Pelozi u takuan dje me Presidentin Obama para se Presidenti të fliste në një takim me stil debati në shtetin Florida për të mbajtur gjallë presionin ndaj republikanëve.

"Ne nuk mund të marrim poza, të grindemi apo të mbështetemi tek të njëjtat ide të dështuara që na sollën në këtë kaos. Prandaj ishin edhe zgjedhjet. Ju i hodhët poshtë shumë nga këto ide sepse ju e kuptuat që ato nuk funksiononin."

Megjithë shkurtimet që iu bënë variantit të Senatit, sipas vlerësimeve të Zyrës së Kongresit për Buxhetin, kostoja e paketës u rrit në 838 miliard dollarë, ose 20 miliard më shumë se sa varianti i Dhomës, i cili u miratua muajin e kaluar pa mbështetjen e republikanëve.

Demokratët e Dhomës thonë se në vështrimin afatgjatë, varianti i tyre kushton më pak se sa ai i Senatit.

Republikanët vazhduan t’i kritikojnë të dy variantet duke thënë se ato janë një harxhim i kotë parash dhe përbëjnë një zgjerim të përhershëm të shpenzimeve qeveritare.

Përfaqësuesi republikan në konferencë, kongresmeni Majk Pens, thotë se më tepër amerikanë mbështesin kundërpropozimet republikane se sa variantet e tanishme të Dhomës dhe të Senatit.

"Propozimet republikane nuk janë një listë e gjatë zërash për shpenzime të vjetëruara, tipike liberale. Përkundrazi, ato janë në qendër të një projektligji i cili u jep familjeve dhe bizneseve të vogla amerikane më shumë para për të shpenzuar, para që ata vetë i kanë fituar me punë."

Kongresmeni demokrat Dejvid Obi, i kundërshtoi argumentet republikane rreth përmasave të mëdha të paketës, duke thënë se ndonëse nuk është e përkryer, ajo do të jetë në gjendje t’i japë nxitjen e duhur ekonomisë.

"Nëse kemi një krizë ekonomike të madhe dhe serioze e cila vjen përballë nesh, atëhere edhe kundërpërgjigja duhet të jetë e madhe, e guximshme dhe agresive."

Zoti Obi thotë se diferencat mes variantit të Dhomës dhe Senatit janë thelbësore por ai shpreson se ato nuk janë të pakapërcyeshme dhe se ligjvënësit do të përqendrohen te nevoja për të vepruar. //ii


XS
SM
MD
LG