Lidhje

Hollbruk në Afganistan dhe strategjia e re amerikane për rajonin


Riçard Hollbruk, i dërguari i posaçëm amerikan për Pakistanin dhe Afganistanin, është duke vizituar aktualisht rajonin, i cili kërcënohet gjithnjë e më shumë nga forcimi i Talibanit. Barry Newhouse i Zërit të Amerikës ndodhet në kryeqytetin afghan ku zyrtarët e amerikanë dhe të NATO-s, po e rishikojnë rrënjësisht strategjinë e tyre. Kjo strategji nuk ka arritur të garantojë sigurinë dhe të ndërtojë një qeveri qendrore të fortë.

Është një mëngjes tjetër dimri në Kabul, ndërsa për miliona afganë, një ditë tjetër përpjekjesh për të mbijetuar në një vend të mbërthyer nga korrupsioni dhe pasiguria. Papunësia arrin në rreth 40 përqind. Çdo ditë, punëtorë krahu si Farhadi presin në qoshe të rrugës për ndonjë punë që mund të dalë. Ai thotë se gjendja e tij është aq e dëshpëruar sa është gati të bëjë çdo gjë për të mbështetur familjen.

"Nëse dikush më jep një mijë dollarë për të vrarë dikë, unë e bëj sepse familja ime jeton në varfëri të tmerrshme. Qeveria dhe forcat ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë për ne."

Qeveria afgane ia hedh fajin për këtë gjendje Talibanit. Grupet militante pa ndonjë udhëheqje qendrore e kanë shtrirë tashmë ndikimin mbi pjesën më të madhe të vendit ku dominon popullsia fshatare. Në qytetet kryesore, sulmet ndaj objekteve civile nuk kanë të rreshtur.

Këtë javë, në kryeqytetin e fortifikuar u sulmuan 3 ndërtesa qeveritare. Nga 8 sulmet vetvrasëse gjetën vdekjen më se 20 vetë. Por as qeveria nuk u ka shpëtuar kritikave për keqësimin e gjendjes. Rivalitetet e vjetra politike pengojnë punën e parlamentit dhe e kanë dobësuar kontrollin e qeverisë në zonat jashtë Kabulit.

Zgjedhjet presidenciale pritet të zhvillohen në muajin gusht dhe Presidenti Hamid Karzai po merr në mbrojtje punën e tij duke ua hedhur fajin forcave ndërkombëtare. Ai thotë se vrasja e civilëve nga trupat e huaja po e minon mbështetjen për qeverinë dhe po provokon protesta popullore kundër komunitetit ndërkombëtar.

"Këto ditë ne po kritikohemi për gjendjen. Por ne vazhdojmë të bisedojmë me komunitetin ndërkombëtar. Është si një farë ndeshje pa dhunë mes nesh dhe, dhëntë Zoti, Afganistani do të jetë fituesi."

Diplomati me përvojë, Riçard Hollbruk, e di mirë se ç’janë negociatat e vështira por ai e pranon se sfida në Afganistan është tepër e madhe. Zyrtarët amerikanë thonë se Hollbruku ka shkuar në rajon për të dëgjuar se ç’do t’i thonë udhëheqësit e Pakistanit dhe Afganistanit. Por një ish diplomat afgan në Pakistan, Ahmad Saidi thotë se Hollbruku ndeshet me pengesa të jashtëzakonshme për gjetjen e një zgjidhjeje.

"Problemet e Afganistanit dhe Pakistanit janë më të gjera se sa një çështje thjesht rajonale prandaj kërkojnë një zgjidhje më të gjerë. Arritja e paqes do të kërkojë pjesmarrjen e Iranit, Pakistanit dhe Rusisë. Tani për tani Shtetet e Bashkuara e kanë të vështirë ta arrijnë këtë."

Zyrtarët amerikanë përballen me vendime të rëndësishme në muajt e ardhshëm për çështje si strategjia ushtarake apo nëse do ta mbështesin kandidaturën e Karzait për t’u rizgjedhur. Ndërkohë, një anketë e re në Afganistan e publikuar këtë javë flet për rënien e mbështetjes si për Presidentin Karzai edhe për trupat e huaja. //bsa//

XS
SM
MD
LG