Lidhje

Klinton: SHBA gati  të normalizojnë marrëdhëniet me Phenianin


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha në prag të vizitës së saj të parë zyrtare jashtë shtetit si kryediplomate e vendit se Shtetet e Bashkuara janë gati të normalizojnë marrëdhëniet me Korenë e Veriut, por vetëm nëse ky vend komunist do ta mbajë premtimin për të hequr dorë nga armët bërthamore. Komentet e saj vijnë pasi Koreja e Jugur parlajmëroi se Koreja e Veriut mund të jetë duke u përgatitur për të testuar një raketë me rreze të gjatë veprimi në gjendje të godasë Shtetet e Bashkuara.

Koreja e Veriut kreu me sukses një test të raketës Taepodong-1 mbi hapësirën japoneze në vitin 1998. Testimi i raketës tjetër Taepodong-2 në vitin 2006 u pa si dështim.

Por Pheniani mund të jetë pranë testimit të një tjetër rakete, asaj Taepdong-2, që sipas zyrtarëve koreano-jugorë është në gjendje të godasë pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

Zonja Klinton foli në Nju Jork në prag të udhëtimit të saj në Azi ku ajo do të jetë në Japoni, Indonezi, Korenë e Jugut dhe në Kinë. Ajo u zotua se do të kërkojë që Koreja e Veriut ta mbajë zotimin për të hequr dorë nga armët bërthamore.

"Nëse Koreja e Veriut vërtet është e përgatitur të heqë dorë nga armët bërthamore në mënyrë të plotë dhe të verifikueshme, atëherë administrata e presidentit Obama do të jetë e gatshme të normalizojë marrëdhëniet dypalëshe, të zëvëndësojë marrëveshjet dypalëshe me traktate të përhershme paqeje, si dhe të ndihmojë Korenë e Veriut me energji dhe ndihmë ekonomike”.

Por zonja Klinton paralajmëroi Korenë e Veriut të mos ndërmarrë veprime që mund të minojnë përpjekjet për çarmatim bërthamor. Bisedimet gjashtë palëshe mbi programin bërthamor kanë ngecur tek proçesi i verifikimit të aktiviteteve bërthamore.

"Administrata e zotit Obama është e vendosur për të bashkëpunuar në bisedimet 6 palëshe me Korenë e Jugut, Japoninë dhe Kinën mbi mënyrën më të mirë për të rinisur negociatat”.

Sekretarja tha se problemet globale si ndryshimet klimatike dhe recesioni kanë nevojë për zgjidhje globale. Ajo tha se do të bëjë thirrje për më shumë energji ambjentaliste dhe teknologji për të mbrojtur mjedisin dhe për të stimuluar rritjen ekonomike. Zonja Klinton premtoi se administrata e zotit Obama do të jetë e hapur për ide të reja mbi zgjidhjen e problemeve botërore.

"Përdorimi i pushtetit në mënyrë të zgjuar kërkon që të jemi realistë mbi botën ku jetojmë dhe kjo na detyron ne ashtu si vendet e tjera në botë të pranojmë detyrat tona”, tha Klinton.

Ndalesa e parë e turneut të sekretares Klinton do të jetë Japonia.//ek

XS
SM
MD
LG