Lidhje

Izraeli vë kusht për heqjen e bllokadës në Gaza


Izraeli ka vendosur që të mos ta hapë pikën kufitare të kalimit me Rripin e Gazës derisa grupi militant Hamas të lirojë ushtarin izraelit Gilad Shalit.

Kabineti izraelit i sigurisë votoi unanimisht sot që ta bëjë kusht lirimin e ushtarit për arritjen e një marrëveshje afatgjatë me Hamasin. Udhëheqësi i Hamasit me bazë në Siri, Khaled Mashaal e kundërshtoi vendimin.

Organizata militante tha se lirimi i ushtarit duhet negociuar veçazi, si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev i tha sot Zërit të Amerikës se anëtarët e kabinetit janë të gatshëm të lirojnë disa të burgosur në këmbim të Shalitit.

Egjipti është munduar të negociojë një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, por vendimi i fundit izraelit i komplikon këto përpjekje.

Izraeli dhe Hamasi shpallën secili armëpushim të njëanshëm muajin e kaluar, pas ndërhyrjes 22 ditëshe izraelite në Rripin e Gazës. (ze)

XS
SM
MD
LG