Lidhje

Malltezi: Banka Botërore të kërkojë falje publike


Drejtuesit ekzekutivë të Bankës Botërore pranuan se janë bërë gabime serioze lidhur me projektin për zhvillimin e zonës bregdetare në Shqipëri dhe thanë se Banka po merr masa për të përmirësuar procedurat dhe ndihmuar familjet në fshatin Jalë, shtëpitë e të cilave u prishën gjatë zbatimit të projektit. Bordi i Bankës shqyrtoi dje raportin e komisionit të pavarur hetimor, dhe ra dakort me përfundimet e arritura në raport për shkelje serioze gjatë zbatimit të projektit. Për të marrë reagime nga pala shqiptare, Zëri i Amerikës intervistoi drejtorin e zyrës së koordinimit të projektit, Jamarbër Malltezi.

Zeri i Amerikës: Zoti Malltezi, fillimisht cili është reagimi juaj ndaj vendimit të Bankës Botërore pas raportit të Komisionit të Inspektimit ?

Jamarbër Malltezi: Së pari më duhet të them se ishte një vendim i pritshëm, kemi qënë goxha në qesëndi gjithë këto kohë. Në themel të sulmeve kanë qënë prishja e planeve korruptive të ndërtuesve dhe botuesve afër një personi të njohur publik për të grabitur toka në bregdetin sipas praktikës korruptive të fshatrave turistikë që u zbatua nga qeveria e mëparshme në bregdetin Adriatik. Prishja e këtyre planeve natyrisht nuk ka kaluar në heshtje nga këta ndërtues-botues të cilët u përpoqën ta shesin një problem të brendshëm si një problem mes qeverisë dhe bankës apo më tej zyrës së koordinimit. Shkuan deri aty në mashtrime sa të prezantonin se zyra e koordinimit ishte menaxhmenti i bankës dhe budallallëqe të tjera. Me sa di unë autoriteti shqiptar i ka dërguar informacione të bollshme bankës të cilat sqarojnë qartësisht situatën faktike. Është e qartë që raporti i panelit nuk ka qëllim tjetër përveçse të shohë procedurat e bankës, më tej qeveria e Shqipërisë me sa jam në dijeni i ka kërkuar bankës të kërkojë ndjesë publike për mashtrimet që ka paraqitur në atë raport me sa duket e ndikuar në mënyrë jo të rregulltë nga këto grupe ndërtues-botues të cilat i botuan planet e tyre të fshatrave turistikë në katalogje dhe i botuan për marketimin ndërkombëtar qoftë në Jalë, në Ksamil e me rradhë. Krejt e kundërta është e vërteta. Qeveria e Shqipërisë e hodhi poshtë atë plan klientelistë të bazuar mbi njollat klienteliste së bashku me Bankën Botërore. Pra atë plan klientelist e rrëzoi që në 2006-ën pavarësisht se këto grupe ndërtimore i kanë publikuar në katalogjet e tyre në 2005-ën, në 2006-ën dhe qeveria e tashme në bashkëpunim me bankën kanë përgatitur planin e zhvillimit në përputhje me kodin evropian të sjelljes në zonat bregdetare që heq njollat selektive, tregon veç kriteret ku lejohet dhe çfarë lejohet dhe fuqizon pushtetet vendore, pra bashkitë dhe komunat përgatisin planet lokale të zhvillimit.

Zëri i Amerikës: Banka Botërore pranon gabimet e rënda të bëra në hartimin e këtij projekti, si dhe mungesën e komunikimit. Ju drejtoni pikërisht atë zyrë që mundëson komunikimin mes bankës dhe qeverisë. A ndjeni ju përgjegjësi për vendimin për prishjen e shtëpive, që janë në fakt në qëndrës të kësaj çështjeje?

Jamarbër Malltezi: Së pari më duhet të them se Banka Botërore ka një përgjegjësi përsa i përket komunikimit, përgatitjes dhe çështje të tjera që janë problem i saj i brendshëm.

Zëri i Amerikës: Po flas për komunikimin mes qeverisë dhe bankës për projektin në fjalë.

Jamarbër Malltezi: Banka me qeverinë komunikon nëpërmjet ad-memoir-ve dhe marrëveshjeve të kredisë. Me ad-memoire që në 2004-ën Banka Botërore shprehet qeveria duhet të vijojë me heqjen e ndërtimeve të paligjshme. Në rast se një klan tjetër brenda BB kthehet tani në 2008ën apo në 2009ën dhe thotë; kjo që ka deklaruar BB që mund ta bëjë përgjegjëse BB për prishjet që në 2004ën ky është një problem i Bankës Botërore. Së dyti, BB ngreh pyetjen pse në plan prokurimi i cili është përgatitur në 2004ën dhe i miratuar në qershor të 2005ës ka përfshirë pajisjet për fuqizimin e policisë ndërtimore. Përsëri në rast se një klan brenda bankës mendon tani se nuk duhet ta kishte ndihmuar policinë ndërtimore për pajisjet prapë është problem i bankës. Një problem i tretë ka të bëjë me duhej apo nuk duhej dhënë fotografimi ajror policisë ndërtimore. Ne kemi dy dokumenta zyrtarë të BB një në 2006ën dhe një në shkurt të 2007ës pra ad-memoir, dokument zyrtar që si të themi vendos detyrat e shtëpisë në ecurinë e projektit, pra dokument zyrtar i bankës i cili kërkon që duhej bërë fotografimi ajror për të kontrolluar territorin nga ndërtimet e paligjshme dhe ti jepen policisë mbi bazë çdo tre mujore. Në rast se banka tani tërhiqet dhe mendon se nuk duhet të ishte kryer ky është prapë problem i brendshëm në mesazhin që përcjell. Së katërti ka një dokument tjetër që quhet letra përcjellëse e fotografive ajrore, është në përputhje qoftë me rekomandimin e bankës për të vënë në dispozicion të fotografive, qoftë të detyrimit që ka zyra për të përcjellë tek autoritetet shqiptare çdo raporti. Letra shoqëruese e fotografive nuk përmend as fjalën Jalë as fjalën prishje. Vendim-marrja se ku ndërhyn dhe për çfarë ndërhyn dhe si ndërhyn janë tërësisht ekskluzivitet i inspektoriatit të ndërtimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Malltezi, në Shqipëri ndërtimet e paligjshme, janë mjaft të përhapura. Po rnë rastin e bregdetit jugor, si Jala, bie në sy një veprim i shpejtë, pa u lënë kohë banorëve të ankohen ose pa u gjetur forma të tjera sistemi për ta. Ka kritika që prishja e shtëpive është bërë në mënyrë selektive. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Jamarbër Malltezi: Së pari më duhet të them që nuk jam drejtor i policisë ndërtimore apo i inspektoriatit të ndërtimit që t’u jap një përgjigje të saktë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ju keni udhëzuar policinë ndërtimore apo jo?

Jamarbër Malltezi: Jo është krejtësisht e gabuar, është mashtrim i këtyre gazetarëve të paguara nga këto grupe botuesish-ndërtuesish. Më duhet të them që letra i përcjell thjesht fotografitë dhe nuk përmend as Jalë, as prishje asnjë. Kështu që kjo është thjesht trillim.

Zëri i Amerikës: Atëherë kush e bëri kërkesën për prishjen e shtëpive?

Jamarbër Malltezi: Kërkesë, nuk ka patur kërkesë për prishje. Ndërkohë më lejoni të sqaroj dhe diçka tjetër që përsa i përket prishjeve të ndërtimit me këto që unë kam parë dhe me dosje të mëdha që ka dorëzuar qeveria e Shqipërisë pranë BB që tregon situatën faktike tregon që janë mbi 200 prishje ndërtime të paligjshme në 2004ën, mbi 110 në 2006-ën nga të cilat gati 90 në Ksamil dhe 90 prishje në 2007ën, të gjitha këto flasin vetëm për bregdetin e Jonit. Dhe po ti marrim parasysh në Ksamil kemi 8 herë më tepër se në Jalë, bile dhe vetë aty kemi 14 prishje në Borsh, 12 në Jalë, 12 në Bunec, 5 në Dhërmi e kështu me radhë. Përsa i përket vendim-marrjes ajo është krejtësisht e autoriteteve shqiptare, i inspektoriatit të ndërtimit, qoftë vendor qoftë kombëtar i cili vendos duhet të lejojë apo nuk duhet të lejojë ndërtimet e paligjshme në bregdet. Për më tepër një raport ligjor konfirmon që qoftë qeveria, qoftë policia e ndërtimit kanë qënë në përputhje e ligjin.

Zëri i Amerikës:Dakort që ky ka qënë ligj i vendit tuaj, por atëherë përse u desh që ju dhe më pas edhe ministri i Transporteve në parlament ta justifikonte prishjen duke përdorur emrin e BB? Pra në një fare mënyre duke u fshehur pas emrit të BB?

Jamarbër Malltezi: Nuk është e vërtetë që është fshehur pas emrit të bankës.

Zëri i Amerikës: Të paktën kështu thuhet në raportin e Inspektimit të Bankës...

Jamarbër Malltezi: Te raporti i Inspektimit qeveria e Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht BB që të mos mjaftohet vetëm me deklaratën që ka bërë por të bëjë edhe ndjesë publike ndaj disa prej këtyre trillimeve të cilat janë të stisura nga këto grupe pranë këtyre ndërtues-botuesve. Më duhet të them që ministri ka deklaruar që ne do të respektojmë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, duke respektuar mjedisin, trashëgiminë qoftë mjedisore qoftë kulturore të zonës. Përsa i përket deklarimeve të fundit të ministrit kanë të bëjnë me ad-memoiret në vazhdim të bankës duke filluar që nga 2004 në të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar ligjin. Në rast se banka mendon që ka bërë gabim kjo i përket ad-memoirit të vetë bankës ku deklaron se duhen prishur ndërtimet e paligjshme të 2004ës dhe kjo mund ta bëjë bankën përgjegjëse për të gjitha prishjet e ndërtimeve që nga 2004.

Zëri i Amerikës: Zoti Malltezi, si janë marrëdhëniet tuaja me BB. A do të vazhdoni ta mbani ende postin e koordinatorit?

Jamarbër Malltezi: Besoj se është një pyetje personale. Normalisht janë shumë të mira dhe nuk ka ndonjë interes për dëgjuesit. Më lejoni tu them që të gjitha ad-memoiret e deritanishme e konsiderojnë projektin shumë të suksesshëm. Ndërkohë qeveria e Shqipërisë deklaron që nuk mund të qëndrojë pezullimi si pasojë e gabimeve të vetë bankës, nuk ka pse të penalizohet Shqipëria. Vetë ministria e konsideron atë një projekt të suksesshëm – e para pasi është hera e parë që përgatitet një plan jashtë klientelizmave, është hera e parë që përgatit një projekt të integruar që fuqizon institucionet që përgatisin plane dhe modernizon infrastrukturën.

XS
SM
MD
LG