Lidhje

Presidenti Obama diskuton për shkurtimin e deficitit federal


Presidenti Barak Obama zhvilloi sot në Shtëpinë e Bardhë një takim me një grup politikanësh dhe ekspertësh të ekonomisë për të hartuar një plan, i cili do të shkurtonte deficitin e madh buxhetor të qeverisë me 50 për qind gjatë 4 vjetëve të ardhshëm.

Presidenti Obama foli rreth përgjegjësive fiskale për shpenzime të matura gjatë takimit sot me këtë grup, ndërsa administrata e tij përgatitet të paraqesë këtë javë projekt-buxhetin e vitit 2010.

Po sot presidenti u takua me guvernatorë shtetesh në përpjekje për të siguruar mbështetje në nivel shtetesh për planin e tij të stimulimit ekonomik. Në takim, presidenti Obama njoftoi se do të autorizojë 15 miliardë dollarë nga paketa prej 787 miliardë dollarësh për t’i ndihmuar shtetet që të mbulojnë koston e kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.

Administrata e presidentit Obama po përpiqet të rimëkëmbë sektorin financiar dhe të ringjallë ekonominë në recesion nëpërmjet huave për bankat dhe shpenzimet për infrastrukturën.

Kritikët e paketës për shpëtimin ekonomk dhe të paketës për stimulimin ekonomik kanë thënë se kostoja e tyre e madhe do ta zhysë vendin në borxhe dhe do të krijojë një barrë të madhe me taksa të larta për brezat e ardhshëm.

Presidenti mund të japë më shumë hollësi rreth planeve të tij për të ndihmuar ekonominë gjatë fjalimit të tij nesër para kongresit.

Zoti Obama do të përpiqet të shkurtojë deficitin duke lejuar që të skadojë ligji i miratuar nga ish presidenti Bush për shkurtimin e taksave për të pasurit, duke tërhequr trupat nga Iraku dhe duke shkurtuar shpenzime të tjera qeveritare. (ze)

XS
SM
MD
LG