Lidhje

Bernanki: Të gjitha mjetet në përgjigje të recesionit


Kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke tha se Shtetet e Bashkuara po pësojnë tkurrje të mëdha, por premtoi se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta nxjerrë vendin nga recesioni. Komentet e tij dje para komisionit të senatit për çështjet bankare bënë që çmimet e aksioneve në Uoll Strit të ngriheshin, pas rënieve për gjashtë ditë me radhë.

Lajmet e fundit ekonomike nuk janë shumë ikurajuese për amerikanët e shqetësuar nga recesioni. Papunësia është më e larta në 16 vjet. Çmimet e shtëpive kanë rënë gati me 20 përqind, rënia më e madhe ndonjëherë. Dhe besimi i konsumatorëve është në nivelin më të ulët.

Por, Kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke dha një rreze shprese dje në dëshminë e tij para komisionit të senatit për çështjet bankare.

"Nëse masat e marra nga administrata, kongresi dhe Rezerva Federale do të kenë sukses në stabilizimin financiar, mendoj se ka arsye të besojmë se recesioni do të përfundojë në vitin 2009 dhe 2010-a të jetë viti i rimëkëmbjes."

Komentet e zotit Bernanke bënë që ngriheshin çmimet e aksioneve, që ranë në nivelin më të ulët në 12 vjet.

Megjithatë, ai tha se çdo lloj rimëkëmbjeje do të varet nga aftësia e Rezervës Federale dhe politikanëve në Uashington për të ndryshuar ciklin vicioz të ekonomisë. Për ta bërë këtë, zoti Bernanke premtoi se do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion.

"Për të ndryshuar situatën, është e rëndësishme që përveç masave stimutuese fiskale të merren masa të forta qeveritare për të stabilizuar institucionet dhe tregjet financiare."

Përveç uljes së normës së interesit në nivelin më të ulët, Rezerva Federale po shqyrton mundësinë e zgjerimit të programeve për të blerë nga bankat pronat e papaguara.

Kjo masë do t'i kalonte qeverisë pronësinë e disa institucioneve financiare, një perspektivë e frikshme për biznesmenin nga Nju Jorku Patrik Kejsi.

"Ky shtetëzim i frikëson njerëzit që kanë investuar në këto aksione, sepse ata nuk përfitojnë asgjë."

Por edhe ekspertët financiarë janë të ndarë në këtë çështje.

Disa nuk besojnë se masat e qeverisë janë në përmasat e duhura për të parandaluar rënien e mëtejshme ekonomike. Të tjerë frikësohen se paketa të tjera stimujsh vetëm vënë në rrezik paratë e taksapaguesve, ndërkohë që vendi përpiqet të kalojë krizën më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh. //ad//

XS
SM
MD
LG