Gati gjashtë vjet pas fillimit të luftës në Irak, Presidenti Obama ka caktuar një datë për t’i dhënë fund kësaj lufte.
“Më lejoni të them sa më thjesht që mundem: me 31 gusht, të vitit 2010, misioni ynë luftarak në Irak do të përfundojë.”
Presidenti i bëri këto komente në kampin Lejeune të bazës ushtarake amerikane në Karolinen e Veriut. Mijëra marinsa nga kjo bazë janë dërguar në Irak, ndërsa qindra marinsa të tjerë po bëhen gati për të shkuar në Afganistan.
Plani për largimin nga Iraku ishte rekomanduar nga Sekretari i mbrojtjes, Robert Gejts, dhe këshilltarë të tjerë të lartë të sigurisë.
“Pasi t’i tërheqim brigadat tona luftarake, misioni ynë do të ndryshojë, nga ai luftarak, në mbështetës për qeverinë irakiane dhe forcat e sigurisë deri sa ato të marrin nën udhëheqje të plotë sigurinë e vendit të tyre.”
Sipas marrëveshjes mes të dy vendeve, trupat e fundit amerikane do të largohen nga fundi i vitit 2011.
“Çdo vend dhe grup duhet të kuptojë, në se ju i dëshironi të mirën apo të keqen Amerikës, se fundi i luftës në Irak do të mundësojë një epokë të re të udhëheqjes amerikane dhe përfshirjes së saj në Lindjen e Mesme.”
Senatori republikan Xhon Mekejn, i cili kritikoi ashpër planin e zotit Obama për tërheqjën e trupave gjatë fushatës zgjedhore të vitit të fundit, tani thotë se është optimist me reserva se plani do të funksionojë.
Në fjalimin e tij në Kampin Lejeune, Presidenti Obama po ashtu konfirmoi se zoti Kristofer Hill do të jetë ambasadori i ri amerikan në Irak. Gjatë administratës së presidentit Bush zoti Hill ishte negociatori kryesor me Korenë e Veriut.//ap.