Lidhje

Sekretarja Klinton fillon sot turneun në Lindjen e Mesme


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha dje se përpjekjet e pajtimit mes fraksioneve kryesore palestineze nuk do të sjellin përparim në rajon, në se Hamasi nuk pranon kushtet ndërkombëtare për bisedimet e paqes me Izraelin. Zonja Klinton foli për Zërin e Amerikës, para fillimit të vizitës së saj në Lindjen e Mesme për ku do të niset sonte.

Zonja Klinton pranon se udhëtimi i saj në Lindjen e Mesme do të jetë në një kohë delikate si për politikën e Izraelit, edhe për atë palestineze, por ajo shton se rrethanat nuk do të kenë ndikim në përkushtimin e administratës së zotit Obama për gjetjen e një zgjidhjeje nga konflikti i Lindjes së Mesme me praninë e dy shteteve.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zonja Klinton tha se do të shkojë në konferencën e donatorëve për rindërtimin e Gazës që fillon të hënën në Sharm el Sheik, me një premtim të rëndësishëm, se SHBA do të japin një ndihmë të re prej 900 milionë dollarësh për rajonin.

Por ajo e bëri të qartë se nga paketa e ndihmave nuk do të përftojë lëvizja radikale islamike Hamas, që kontrollon Gazën që nga viti 2007.

Zonja Klinton tha se SHBA duan të fuqizojnë një partner palestinez, i cili të jetë i përkushtuar ndaj parimeve të Quartetit të Lindje së Mesme, për vendosjen e paqes në rajon, që përfshin njohjen e Izraelit dhe dënimin e dhunës. Ajo tha se ndihmat në para do të shpenzohen vetëm në se do të jetë e qartë që synimet e SHBA-së nuk do të minohen, apo ndryshohen.

Në këtë aspekt, ajo u shpreh me kujdes për marrëveshjen të enjten, në Kairo, mes Hamasit dhe lëvizjes Fatah që synon krjimin e një qeverie të re uniteti të palestinezëve.

"Besoj se është e rëndësishme, që në se do të ketë pajtim dhe përparim drejt një autoriteti të unifikuar, është e qartë se Hamasi i di kushtet që janë paraqitur nga Kuarteti, në takimin e Lidhjes Arabe. Ata duhet të dënojnë dhunën, të njohin shtetin e Izraelit dhe të veprojnë në përshtatje me premtimet e mëparshme. Përndryshe, mendoj se nuk do të ketë një rezultat pozitiv as për popullin palestinez dhe as në fuqizimin e përpjekjeve për arritjen e paqes, që do të çonte në krijimin e shtetit palestinez", -tha ajo.

Përveçse do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve, zonja Klinton do të takohet në Sharm el Sheik edhe me Presidenti egjiptian Hosni Mubarak dhe një numër ministrash të jashtëm evropianë dhe të tjerë, për të diskutuar mbi përpjekjet për çuarjen përpara të procesit të paqes.

Ajo do të marrë pjesë në këto bisedime bashkë me të dërguarin e administratës për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçell, i cili ndodhet në rajon që të martën dhe është takuar me zyrtarët kryesorë izraelitë në negociatat e koalicionit, mes tyre edhe me të emëruarin për kryeministër, Benxhamin Netaniahu.

Udhëheqësi i partisë Likud të së djathtës, nuk është dakord me zgjidhjen e dy shteteve, që është në bazën e politikës amerikane për Lindjen e Mesme, por zonja Klinton e shmangu pyetjen, në se një qeveri izraelite e udhëhequr nga zoti Netanjahu do të jetë është shqetëtuese.

"Politika jonë mbetet, ashtu sikurse edhe ajo e Kuartetit dhe e Lidhjes Arabe, një zgjidhje me praninë e dy shteteve. Në Izrael ende nuk ka një qeveri, prandaj nuk kemi patur rastin të konsultohemi me askënd. Por, sigurisht, që ne do të shprehim përkushtimin tonë të vendosur për një zgjidhje me dy shtete krah për krah njëri tjetrit,"- tha ajo.

Zonja Klinton do të qëndorjë për dy ditë në Jeruzalem dhe do të shkojë edhe në Rramallah të Bregut Perëndimor, për t’u takuar me Presidentin e autoritetit palestinez Mahmud Abas dhe me kryeministrin Salam Fajad.

Javën e ardhshme ajo do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, do të ketë një takim në Gjenevë me Minsitrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe do ta përfundojë udhëtimin me një vizitë në Ankara, ku do të bisedojë me zyrtarët turq.//lk





XS
SM
MD
LG