Lidhje

Në Shqipëri dështon ligji kundër duhanit në vende publike


Ligji për të ndaluar pirjen e duhanit në mjedise publike ka dështuar nga pasiviteti i vetë inspektorëve që kanë për detyrë ta zbatojne atë. Ky është përfundimi i diskutimeve të zyrtarëve dhe shoqatave joqeveritare lidhur me këtë çështje. Tirana ka rreth 200 inspektorë, por ka afro 1 vit që nuk ndëshkohet askush për pirjen e duhanit në mjedise publike, ndërsa kjo dukuri vazhon njëlloj si më parë.


Ndonëse parlamenti shqiptar ka miratuar një nga ligjet më të mira në Europë kundër duhanit në mjedise publike, institucionet shëndetësore nuk po e zbatojnë fare atë. Përfaqësues të institucioneve mjekësore pranojnë se ligji për ndalimin e pirjes së duhanit në mjedise publike nuk po zbatohet në shkallën e duhur.

Koordinatori kombëtar i luftës kundër duhanit, Roland Shuperka, thotë se ligji është praktikisht i zbatueshëm, gjë që u provua në muajt e parë kur u gjobitën një mori subjektesh.

“Pengesat na janë shkaktuar nga vetë strukturat tona shtetërore, nga mosorganizimi i mirë i punës. Vetëm konfuzioni i përgjegjësive dhe mosndarja e mirë e punës na kanë çuar në këtë dështim. Pronarët e lokaleve në çdo vend të botës e kanë kundërshtuar këtë ligj, por në shumicën e shteteve ligji zbatohet, gjë që duhet bërë edhe këtu. Pra, nuk duhet ta shohim problemin tek kundërshtimet e subjekteve private, por tek vetja jonë” - thotë zoti Shuperka.

Në Shqipëri vepron edhe një shoqatë e fuqishme kundër duhanit, me degë në çdo qytet; shoqata “Për një Shqipëri pa duhan”. Drejtuesi i saj, Xhovani Shyti, thotë se komiteti shtetëror kundër duhanit ka një vit që nuk mblidhet fare, ndërkohë që nuk paguhet asnjë gjobë, dhe inspektorët marrin për paradoks shpërblime shtesë për një punë që nuk e kryejnë.

“Prej afro një viti, në Institutin e Shëndetit Publik çdo muaj 190 punonjësit e tij marrin secili si pagë plus, si pagë mbi pagën, rreth 100-120 mijë lekë vetëm për të qenë inspektorë. Deri më sot ata nuk kanë as fletëgjoba, e marrin atë pagesën kot me një firmë. Habitem se ato shkojnë rreth 20 milionë lekë nga buxheti i shtetit që i marrin këta si inspektorë dhe nuk kanë as blloqe gjobash, nuk bëjnë as trajnime, nuk bëjnë asgjë” - thotë zoti Shyti.

Koordinatori kombëtar i luftës kundër duhanit, Roland Shuperka, thotë se një masë tjetër për të reduktuar konsumin e duhanit është edhe rritja e taksave doganore të tij.

“Mënyra më e mirë për të ulur pirjen e duhanit në grupmoshat e reja është rritja e cmimeve të cigareve. Është llogaritur se kur cmimet e cigareve rriten 10 për qind, pirja e duhanit nga adoleshentët dhe të rinjtë ulet 8 për qiund. Kjo është masa më efikase dhe më e rregullt për uljen e përdorimit të duhaneve, krahas ndalimit të pirjes së duhanit në vende publike” – thotë ai.

Por zoti Shyti i shoqatës kundër duhanit, thotë se moszbatimi i këtij ligji ka shkuar deri në atë pikë saqë duhani pihet edhe në institucionet shëndetësore shtetërore.

“Mund ta vëzhgojë kushdo që në lokalet e institutit pihet duhan. Ka edhe mjedise në spitale dhe vende të tjera që janë në varësi të ministrisë së shëndetësisë që pihet duhan. Nuk ka nevojë për komente. Kjo është gjendja, dëshpërimisht kjo është gjendja” - thotë zoti Shyti.

Si zyrtarët e shëndetit ashtu edhe shoqatat joqeveritare vlerësojnë faktin se maxhoranca ka miratuar një ligj shumë të mirë, por zbatimi i tij nuk mund të lihet në dorë të tregtarëve të duhanit dhe as pronarëve të lokaleve private, që ata ta zbatojnë vullnetarisht. //mm//

XS
SM
MD
LG