Lidhje

Autoritetet e Tiranës vlerësojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë me të drejta të plota në NATO u vlerësua në Tiranë nga autoritetet më të larta shtetërore dhe drejtuesit politikë si një ngjarje e rëndësishme historike.

Presidenti Bamir Topi përshëndeti këtë anëtarësim, duke falenderuar aleatët dhe vendet mike të Shqipërisë. Zoti Topi deklaroi se shqiptarët kanë tani më shumë detyra, angazhime dhe përgjegjësi por kanë më shumë aleatë për t'i përballuar ato me sukses ato.

Presidenti Topi tha se ishin aleatët tradicionalë si SHBA që mbështetën dhe ndihmuan Shqipërinë për të bërë realitet ëndrrën e saj euroatlantike, dhe populli shqiptar u është mirënjohës.

"Shqipëria është sot shumë e sigurt për të ardhmen e saj euroatlantike dhe për rikthimin e saj përfundimtar në familjen e demokracive të mëdha euroatlantike", - deklaroi Presidenti i Shqipërisë.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha deklaroi se kjo ishte një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, më e rëndësishmja qysh pas shpalljes së pavarësisë. Shqipëria ka një mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai theksoi në një deklaratë shtypi se SHBA shfaqën ndaj Shqipërisë besimin më të madh që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, besim ky që ishte përcaktues për finalizimin me sukses të këtij procesi.

Zoti Berisha tha se Shqipëria i është mirënjohës ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush, dhe presidentit Barak Obama dhe qeverisë së SHBA pa mbështetjen e të cilëve ky proces do të ishte i pamundur.

"Deri 15 vjet më parë Shqipëria ishte një nga 3-4 vendet më të varfra të botës, por pati mbështetjen dhe ndihmën e gjithë vendeve antare të NATO-s dhe Bashkimit Europian, ndaj edhe përfitoi ndryshime kaq të mëdha. - tha zoti Berisha. - Shqipëria e vlerëson këtë ngjarje si castin e përgjegjësive më të mëdha për të konsoliduar vlerat e lirisë, për të bërë gjithë përgatitjet që paqeruajtësit e saj të përmbushin me dinjitet detyrat dhe misionet që rrjedhin nga anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO".

XS
SM
MD
LG