Lidhje

Festivali i lulëzimit të qershive në Uashington



Miliona vetë mbushin çdo vit rrugëzat buzë liqenit artificial në qendër të Uashingtonit. Është një traditë e krijuar prej dekadash që njihet si Festivali i Lulëzimit të Qershive. Por përtej efektit dekorativ, këto pemë prej afro 1 shekulli mbeten edhe një vegël modeste diplomacie. Prania e tyre në Uashington filloi si një një simbol miqësie nga qeveria japoneze për Shtetet e Bashkuara.

Pemët e qershive ishin një gjest simbolik diplomacie. Kjo dhuratë u bë në vitin 1909.

Xhon Melot, Presidenti i Shoqatës Japonezo-Amerika në Uashington shpjegon se, dhurata japoneze e vitit 1909 u bë në një kohë kur amerikanët ishin të shqetësuar nga një sulm i mundshëm japonez ndaj bregdetit perëndimor dhe Tokio vendosi të dërgonte 3 mijë rrënjë pemë për të simbolizuar vullnet të mirë mes dy vendeve. Si një simbol me vlerë jo vetëm dekorative, por edhe politike, pemët shpesh janë gjetur në mes të furtunave të kohës:

"Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pak ditë pas incidentit të Gjirit të Perlave, disa pemë ishin prerë nga një person shumë i revoltuar. Si rezultat, gjatë luftës askush nuk iu referua pemëve si Qershitë Japoneze, por si Qershitë Orientale"

Por ashtu si Japonia që u rikthye në mes të komunitetit të kombeve, edhe pemët e qershive e gjetën përsëri vendin e tyre në zemrat e amerikanëve dhe janë sot një ndër simbolet më të spikatura të pranverës së Uashingtonit. Dhe Japonia nuk ka nguruar ta shfrytëzojë këtë shans për të reklamuar historinë dhe kulturën e saj:

"Çdo vit kryeqyteti amerikan bëhet qytet japonez. Është sikur çdo vit të kemi një panair ndërkombëtar që ka në qendër një vend të vetëm. Në Uashington ka mbi 180 ambasada, por vetëm Japonia e gëzon këtë status, falë pemëve që dhuroi".

Panairi i përvitshëm japonez që zhvillohet në fillim të prillit, në kulmin e lulëzimit të pemëve, u ofron vizitorëve një mundësi të rrallë të njihen me një vend që pak e kanë vizituar dhe shumë më pak e njohin. Siç shpjegon zoti Mallott, nuk është kollaj të ruash një traditë të tillë prej dekadash, në një vend me një komunitet shumë të vogël japonez. Çelësi i suksesit është fama që kanë marrë pemët dhe origjinaliteti i panaireve të përvitshme.

"Çdo vit pyesim veten ‘cfare mund të bëjmë këtë vit? Cfare mund të sjellim nga Japonia? Këtë vit zbuluam një grup të interesuar në sistemin japonez të hekurudhave. Prandaj festivali i sivjetshëm përfshin makete në miniaturë të sistemit të metrosë së Tokios, apo hekurudha japoneze".

Kultura japoneze i kapercen kufijte e komunitetit japonez. Gjate 2 javeve qe lulezojne qershite, ethet japoneze përfshijnë shumë nga institucionet kulturore të Uashingtonit, si Qendrën Kenedi, Muzeun e Arteve dhe atë të Arkitekturës, të cilët organizojnë aktivitete që kanë në qendër tematikë japoneze.

Kjo dhuratë simbolike që e ka zanafillën afro 1 shekull më parë, dhe që përfaqëson një Japoni krejt të ndryshme nga ajo e fillimit të shekullit të kaluar, duket se nuk e ka humbur domethënien për amerikanët në mijëvjeçarin e ri.


XS
SM
MD
LG