Lidhje

Presidenti Obama: Kërkojmë një fillim të ri me Kubën


Presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një fillim të ri me Kubën dhe janë të gatshme të hyjnë në kontakte me qeverinë kubane për çështje që përfshijnë të drejtat e njeriut, migrimin dhe ekonominë

Presidenti Obama i bëri komentet në sesionin e hapjes të samitit të Hemisferës Perëndimore në Trinidad dhe Tobago. Zoti Obama tha se nuk është i interesuar për bisedime sa për të biseduar por beson se marrëdhëniet amerikano-kubane mund të lëvizen në një drejtim të ri.

Gjatë kësaj jave, Presidenti Obama hoqi kufizimet për udhëtimet dhe dërgimin e parave në Kubë nga kubano-amerikanët. Por këto vendime nuk e heqin embargon tregtare 47-vjeçare ndaj Kubës.

Disa udhëheqës latinoamerikanë po kërkojnë që zoti Obama të heqë embargon. Presidenti venezuelian Hugo Çavez thotë se ai dhe aleatët e tij do të votojnë kundër deklaratës përfundimtare të samitit në shenjë proteste ndaj embargos. Kuba nuk u ftua në këtë samit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha dje se administrata Obama e shikon politikën e tanishme amerikane ndaj Kubës si të dështuar.

Zonja Klinton mirëpriti deklaratat e Presidentit të Kubës, Raul Kastro, i cili tha se Havana është e përgatitur të diskutojë çdo çështje me Uashingtonin, përfshirë të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit dhe të burgosurit politikë. Por udhëheqësi i Kubës këmbënguli që vendi i tij të trajtohet si barabartë në bisedime.

Sekretarja e Shtetit, Klinton tha se Shtetet e Bashkuara i mirëpresin deklarata të tilla dhe shtoi se Uashingtoni po i shqyrton ato me seriozitet dhe po mendohet se si të përgjigjet.

Zonja Klinton i bëri komentet para nisjes për në Trinidad dhe Tobago, ku ndodhet së bashku me Presidentin Obama, për takimin e nivelit të lartë të 34 vendeve të Hemisferës Perëndimore. //ii



XS
SM
MD
LG