Lidhje

Historiku i analizës së 100 ditëve të para në detyrë


Presidenti Barak Obama shënon sot 100 ditë në detyrë. 100 ditëshi i parë i presidencës ka marrë një kuptim të veçantë që nga koha e Presidentit Frenklin Ruzvelt.

Frenklin Ruzvelt u bë president në kulmin e Depresionit të Madh në vitin 1933 dhe përparësia e tij kryesore ishte të siguronte publikun se ditë më të mira do të vinin.

“Ju duhet të keni besim. Nuk duhet të frenoheni nga fjalët apo hamendjet. Le të bashkohemi për të ndaluar frikën”, shprehej ai.

Ish-Presidenti Ruzvelt kishte aftësi të jashtëzakonshme komunikuese dhe ishte i pari president që e përdori radion me efektivitet për të siguruar mbështetjen e publikut.

Programi ambicioz legjislativ i tij kishte si synim rigjallërimin e ekonomisë dhe stili i tij i vendosur udhëheqës mbetet edhe sot etaloni i marrjes nën kontroll të situatës nga një president në 100 ditët e para në detyrë.

Presidentëve të tjerë u është dashur të përballen me pengesa të politikës së brendshme dhe të jashtme në 100 ditët e para.

Në vitin 1961, Presidenti Xhon Kenedi mori përgjegjësinë për ndërhyrjen e dështuar në Gjirin e Derrave, ku të mërguar Kubanë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara u përpoqën të përmbysnin qeverinë e Fidel Kastros. Ishte një dështim i hershëm për një president, për të cilin kjo ishte prova e parë në arenën ndërkombëtare.

“Në atë vend, ashtu si në shumë arena të tjera në garën për liri, lajmet janë keqësuar, nuk janë përmirësuar”.

Presidenti Barak Obama përballet me një situatë shumë të vështirë ekonomike në 100 ditët e para në detyrë.

Në disa drejtime, zotit Obama ka ndjekur modelin e Frenklin Ruzveltit në periudhën e tij të parë në detyrë, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të komunikuar me publikun dhe për të përcjellë njëkohësisht edhe realitetin e ashpër, edhe shpresën.

“Ne jemi akoma në një situatë shumë të vështirë. Por për herë të parë kemi filluar të shohim rreze shprese”.

Gazetarët dhe ekspertët politikë po i vlerësojnë gjerësisht 100 ditët e para të zotit Obama në detyrë, megjithëse shumë prej tyre e pranojnë se që vendosja e një caku prej 100 ditësh është arbitrare. Analisti politik Stjuart Rothenberg thotë se popullariteti i hershëm, dhe i vazhdueshëm i Presidentit i detyrohet në një pjesë të madhe aftësisë së zotit Obama për të bindur votuesit se ka vullnetin që t’i përballojë drejtpërdrejt problemet madhore ekonomike.

“Ai ka sjellë një frymë të re tek publiku amerikan, një ndjesi lehtësimi që qeveria po përpiqet ta rimëkëmbë ekonominë, se përballet me problemet direkt, i kupton ato dhe kjo është vërtet e rëndësishme”.

Republikanët e opozitës e akuzojnë presidentin se do që të ndjekë një program ekonomik dhe social të së majtës së skajshme dhe paralajmërojnë se planet e shpenzimit të qeverisë së tij do ta rrisin jashtëzakoniosht borxhin kombëtar.

Republikanët ankohen gjithashtu se zoti Obama deri tani nuk e ka përmbushur premtimin e fushatës për të ndryshuar tonin politik në Uashington dhe për t’i shtrirë dorën opozitës.

Kjo ankesë mund të bëhet edhe më e theksuar në 100 ditët e ardhshme dhe më tej, ndërsa presidenti përpiqet të trajtojë dhe zgjidhë çështje polarizuese si reforma e sistemit shëndetësor pavarësia nga burimet e huaja të energjisë.

Eksperti i Institutit Brookings, Stivën Hes thotë se zoti Obama duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të nxitur sa më shumë nga programi i tij që në fillim, për të rritur ndikimin e tij politik.

“Kjo është një zgjidhje e mirë sepse presidenti gëzon mbështetjen dhe popullaritetin më të madh kur është i sapozgjedhur, kështuqë ai duhet të përfitojë nga kjo periudhë muaji mjalti duke e dikur që sigurisht nuk do të marrë çdo gjë që do të kërkojë”.

Presidenti Obama gëzon një mbështetje të madhe, 100 ditë pas marrjes së detyrës. Sipas anketës së fundit, mbështetja e tij është 68 për qind, ndërsa një sondazh tjetër i mëparshëm tregon se kjo mbështetje është 69 për qind. //kk//

XS
SM
MD
LG