Lidhje

Përpjekje për një vaksinë kundër virusit H1N1


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një numër laboratorësh në të gjithë botën po punojnë për prodhimin e një vaksine kundër gripit H1N1. Kjo organizatë e ka ngritur nivelin e rrezikut në kategorinë 5, vetëm një nivel më poshtë se kategoria e epidemisë globale. Për këtë arsye, gjetja e një vaksine është shumë e nevojshme, por siç shpjegon reportazhi në vazhdim puna për prodhimin e një vaksine kërkon muaj të tërë.

Me shtimin e numrit të personave me virusin H1N1, po shtohen edhe përpjekjet për një vaksinë kundër sëmundjes.

Dr. Wilbur Çen, i cili kryesoi provat me vaksina kundër gripit të shpendëve në Universitetin e Merilendit, është ndër shkencëtarët që ndjekin prirjen e viruseve të kafshëve që transmetohen tek njeriu. Ai mori pjesë në një konferencë për kërkime mbi vaksinat në Baltimorë.

“Ne si kërkues në këtë fushë do të donim që e gjithë teknologjia të zhvillohej në mënyrë që të prodhojmë vaksina shumë shpejt.”

Por procesi i prodhimit të një vaksine kërkon 3 muaj e ndoshta më shumë kohë. Shkencëtarët injektojnë fillimisht virusin në një vezë pule dhe presin të zhvillohet.

Ed Mokarski është shkencëtar në kompaninë Medimune që prodhon vaksina.

“Vaksina duhet të provohet në kafshë për t’u siguruar se është e padëmshme për njerëzit dhe për të garantuar që është virus i dobët, që nuk do të shkaktojë sëmundje.”

Duhet gjetur baraspesha e vështirë mes efektivitetit në kohë dhe sigurisë në përdorim për vaksinën. Shkencëtarët kujtojnë me ankth programin masiv të vaksinimit kundër gripit të derrit në vitin 1976. Megjithëse nuk pati shpërthim epidemie, rreth 30 vetë vdiqën nga një çrregullim nervor i shkaktuar nga vaksina.

“Rreziku i reaksionit mund të jetë thjesht kalimtar, thotë Dr. Çen, pra pacientët mund të kenë temperaturë për 2-3 ditë. Por ky problem është shumë i vogël krahasuar me efektin që ka për të shpëtuar jetë, nëse virusi përhapet në popullatën e gjerë.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një numër laboratorësh po punojnë për prodhimin e vaksinës. Sipas ekspertëve, gripi i i derrit mund të zhduket për momentin dhe të rishfaqet pas disa muajsh. Prandaj shkencëtarët duhet të vendosin nëse ekziston një rrezik i madh që e bën të nevojshëm përfshirjen e këtij virusi në dozat e vaksinave që jepen në vjeshtë.

“Zakonisht bëjmë vaksina kundër gripit me një substancë ku përfshihen 3 komponentë. Këta janë viruset që mendojmë ne se do të qarkullojnë gjatë dimrit", thotë Dr. Çen.

Shkencëtarët thonë se zgjedhja e këtyre viruseve nuk është shkencë ekzakte, pasi gripi merr forma të ndryshme.

Për momentin, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka këshilluar të gjitha vendet të hartojnë plane për gatishmëri në rast epidemie. (ze)

XS
SM
MD
LG