Lidhje

Serbët përplasen me policinë në Kosovën lindore


Të paktën dhjetë pjesëtarë të policisë së Kosovës u plagosën gjatë një përpjekjeje për të shpërndarë disa qindra serbë në Kosovën lindore që protestonin për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Policia tha se grupe protestuesish hodhën gurë e mjete të tjera të forta mbi forcat e rendit që ndërhynë për të zhbllokuar njërën nga rrugët kryesore të rajonit që lidh Gjilanin me Luginën e Preshevës.

Banorët serbë i akuzojnë autoritetet për trysni ndaj tyre, por Prishtina nuk i pranon akuzat dhe i ka bërë thirrje qytetarëve serbë të mos shfrytëzojnë problemet e përditshme për qëllime politike.

Zyrtarët në Prishtinë i thanë Zërit të Amerikës se policia arriti t’i largojë protestuesit nga rruga kryesore por ata u grumbulluan në afërsi të fshatit Korminjan i Vogël dhe aty përdorën dhunë kundër policisë.

Është hera e dytë që protestat për mungesën e energjisë elektrike në rajonin e Gjilanit janë shndërruar në përplasje të dhunshme të banorëve serbë me policinë.

Disa fshatra me banorë serbë janë shkëputur nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave të energjisë.

Qytetarët serbë thonë se nuk do të paguajnë dhe i kanë kërkuar Beogradit të ndërhyjë për të zgjidhur gjendjen e krijuar. Ata e kanë akuzuar Prishtinën se po u bën presion banorëve serbë duke i shkëputur nga rrjeti i furnizimit.

Por zyrtarët e Korporatës Energjitike, KEK i hodhën poshtë pretendimet duke thënë se borxhi i banorëve serbë është mbi 120 milion euro. Ata u kanë ofruar banorëve serbë të nënshkruajnë kontrata individuale për lidhjen në rrjet dhe për pagimin e borxhit.

Zyrtarët thonë gjithashtu se masat që ata kanë marrë nuk kanë të bëjnë me përkatësitë etnike. //ii

XS
SM
MD
LG