Lidhje

Jeta dhe vepra e muzikantit të njohur Pit Siger


Edhe nëse nuk e keni dëgjuar emrin e tij, padyshim duhet të njihni muzikën e Pit Siger. Gjatë 70 viteve të fundit, Siger, i cili mbushi 90 vjeç në fillim të këtij muaji, ka shkruar këngë legjendare, si” Turn Turn Turn” apo “If i had a Hammer” të cilat duket se kanë qenë pjesë e përhershme e peisazhit amerikan. Në vazhdim do t’ju njohim me profilin e njeriut i cili ka jetuar disa jetë, nga këngëtari rebel, tek figura mistike e epokës së Mëkarthit, nga ambjentalisti, tek këngëtari i muzikës tradicionale.

Në 90 vjetorin e tij, këngëtari i famshëm dhe autori i teksteve Pit Siger, u nderua me një koncert në Madison Square Garden të Nju Jorkut. Muzikantë të moshave të ndryshme iu bashkuan atij në skenë, duke kënduar këngë të krijuara prej tij, që janë bërë mjaft popullore gjatë dekadave.

“Nëse nuk do të mendoja se muzika mund të ndihmojë për të shpëtuar racën njerëzore, unë nuk do të isha bërë muzikant”.

Pit Siger spikati që në vitet 1940, si pjesëtar i grupit Almanak Singers, më pas shkoi tek grupi Uejvërs dhe më pas nisi karrierën e tij si solist. Ai ishte themeluesi i festivalit Folklorik të Njuportit, ku interpretimi i tij në fillim të viteve 1960, u regjistrua nga regjizori Murej Lerner.

Por sërish Siger thotë se ai nuk kishte planifikuar të bëhej muzikant. Bir i dy muzikantëve klasikë, ai interpretonte në disa instrumente muzikore që në moshën 5 vjeçare. Por si adoleshent, ai thotë se donte të jetonte nëpër pyje.

“Unë thoja se do të bëhesha eremit. Është e vetmja mënyrë për të qenë i ndershëm në këtë botë hipokrite. “

Siger nisi të merrej me muzikë, kur vendosi që t’i zhvillonte më tej pikëpamjet e tij politike, kryesisht për të drejtat civile, dhe për drejtësi sociale, paqen dhe ambjentalizmin. Ai beson se ka dhënë ndihmesë më të madhe përpara viteve ’60 me muzikën e tij, duke marrë si shembull këngëtarë më të rinj, si Bob Dilan.

“Unë i tregova një brezi të tërë muzikantësh, se nuk kishin pse të ishin hipokritë. U thashë, “ju do gjeni njerëz, të cilët do të duan të këndojnë e të dëgjojnë muzikën tuaj. Dhe tani ka qindra mijëra njerëz si ne”.

Kohët e fundit, Siger këndon shpesh me nipin e tij, muzikantin Tao Rodriguez Siger, siç duket dhe në këtë video muzikore, marrë nga stacioni muzikor Hudsona Valli, duke marrë pjesë në një festival të organizuar në Nju Jork, ku Siger jeton.

Siger organizoi në vitin 1969 nismën “Clearwater”, për të publikuar nevojën për pastrimin e lumenjve të ndotur. Sot, pas kaq vjetësh, zona përreth Bikon, është e sigurt për të notuar.

“Nëse bota do të ekzistojë për qindra vjet, kjo do të ndodhë falë aftësisë së qindra miliona njerëzve për të përdorur siç duhet trurin që i ka dhënë Zoti. Ata mund të bëjnë diçka të vogël çdo ditë, si të hedhin mbeturinat në vendin e duhur, apo të mos përdorin makinat“.

Siger ende jeton në mal, ku ai dhe gruaja e tij Toshi ndërtuan një kabinë në vitin 1949. Ai ende çan dru, thuajse çdo ditë.

Ata jetonin atje dhe në 1955, ku Siger u thirr të dëshmonte rreth pikëpamjeve të tij politike, përpara Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve të asaj kohe, për Aktivitetet Anti-Amerikane. Ai refuzoi të dëshmonte, duke thënë se kjo shkelte amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane që ka të bëjë me të drejtën me lirisë së fjalës.

6 vjet më vonë, ai u shpall fajtor për mos respektim të Kongresit, dhe u dënua me një vit burg... ndonëse çështja më vonë u pezullua.

Disa prej këngëve të tij janë kthyer thuajse në himn kombëtar, si versioni i këngës “This Land is your Land”, të cilën ai e interpretoi në Memorialin e Linkolnit, në koncertin e zhvilluar për inaugurimin e Presidentit Obama.

Seiger udhëhoqi të pranishmit që të këndonin së bashku, sikurse ai bën gjithmonë gjatë interpretimeve të tij. //bsa//

XS
SM
MD
LG