Lidhje

Rihapet për vizitorët kurora e Statujës së Lirisë


Qeveria amerikane njoftoi se turistët do të kenë përsëri mundësi që të ngjiten deri në majë të Statujës së Lirisë dhe të dalin në kurorën e saj të famshme. Ballkoni i vogël në këtë kurorë ka qenë i mbyllur që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. 8 vjet më pas, në Ditën e Pavarësisë së Amerikës që festohet më 4 Korrik, ballkoni do të rihapet për publikun:

Statuja e Lirisë është ndër monumentet më të njohura në botë dhe është parë si simbol shprese për imigrantët që për më shumë se një shekull futeshin në Shtetet e Bashkuara përmes Nju Jorkut në kërkim të një jete më të mirë. Kjo statujë është një objekt me shumë interes për turistët.

Por që pas sulmeve terroriste të vitit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë, një pjesë e vogël e kësaj strukture – kurora e Statujës - nuk ishte e hapur për publikun. Si rezultat i shqetësimeve për sigurinë, kurora ka qenë e mbyllur për vizitorët për afro 8 vjet. Por më 4 Korrik, në Ditën e Pavarësisë, kurora do të rihapet përsëri.

Darren Bosh punon për Shërbimin Kombëtar të Parqeve, i cili ka nën administrim edhe Statujën e Lirisë:

“Në ditëlindjen e Amerikës, më 4 Korrik 2009, me shumë entuziazëm do t’i ofrojmë përsëri publikut amerikan dhe turistëve të huaj mundësinë të vizitojnë kurorën e Statujës së Lirisë.”

Ngjitja deri në majë të statujës nuk është e realizueshme nga çdo njeri. Duhet të ngjisësh 200 shkallë në brendësi të trupit të statujës. Më pas, kur arrin në majë, shpesh ka shumë njerëz dhe pamja është e kufizuar. Por kjo s’i ka penguar njerëzit të prenotojnë që tani vizitën:

“Kemi marrë plot telefonata dhe mesazhe me email si dhe kontakte të tjera në Shërbimin Kombëtar të Parqeve. Të gjithë duan të dinë se si mund të sigurojnë vendin e parë në radhën e vizitorëve”.

Zyrtarët thonë se kërkesa ka qenë aq e madhe, saqë faqja e tyre elektronike u bllokua në ditën kur u shpall vendimi për të rihapur kurorën e statujës. Por ata parashikojnë se mund të ketë edhe zhgënjime. Numri i njerëzve që mund të ngjiten në majë të statujës është i kufizuar. Hollësitë nuk janë sqaruar ende, por pritet që të kufizohet numri i vizitorëve në 150 vetë në ditë.

Ishulli i Lirisë mirëpret çdo vit 3.6 milion vizitorë, pra megjithë ngjitjen e lodhshme, parashikohet që bileta për Statujën e Lirisë të jetë shumë e kërkuar më 4 Korrik. //ad//

XS
SM
MD
LG