Lidhje

Koreja e Veriut dhe arsyet e mundshme të provës bërthamore


Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqishëm provën e fundit bërthamore të Koresë së Veriut. Korrespondenti ynë Andre DeNesnera i hedh një vështrim pasojave politike të kësaj prove.

Koreja e Veriut kreu një provë bërthamore nëntokësore në pjesën verilindore të vendit. Kjo ishte prova e dytë bërthamore që prej vitit 2006. Dejvid Ollbrajt, President i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare ka vite që e ndjek programin bërthamor të Koresë së Veriut.

"Në vitin 2006, Koreja e Veriut po përpiqej të realizonte një shpërthim prej katër kilotonësh dhe ia doli vetëm të shpërthente gjysëm kilotoni, ndaj edhe prova u pa jo si shumë e suksesshme. Kësaj here duket se shpërthimi kishte një fuqi diku prej një deri në pesë kiloton dhe nëse Peniani po përpiqej të arrinte fuqinë prej katër kilotonësh, atëherë prova mund të quhet e suksesshme”.

Zoti Ollbrajt po kështu thotë se bomba që Amerika hodhi mbi Nagasaki në fund të Luftës së Dytë Botërore kishte një fuqi prej 20 kilotonësh.
Peniani gjithashtu testoi ditët e fundit disa raketa ajër-tokë dhe tokë-det me rreze të shkurtër veprimi.

Xhim Uolsh, i cili është analist bërthamor dhe ekspert i Koresë së Veriut në Intitutin e Teknologjisë të Masaçusetit vë në pyetje vlerën e testeve të fundit me raketa.

"Në verën e 2006-ës, koreano-veriorët shkelën marrëveshjen mbi provën me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe hodhën edhe disa raketa me rreze të shkurtër. Nga ana shkencore apo tenike nuk ka përse këto prova të bëhen së bashku”.

Nga ana e tij zoti Ollbrajt thotë se provat raketore me rreze të shkurtër veprimi ishin pjesë e programit kërkimor ushtarak të Penianit. egjithatë, ai thotë se këto raketa u hodhën qëllimisht në të njëjtën kohë kur u krye edhe prova bërthamore nëntokësore.

Ekspertët shtrojnë pyetjen se çfarë fshihet pas këtij shpërthimi bërthamor në një moment të tillë. Sipas analistit, Xhom Uollsh, për këtë ka dy teori.

"Sipas një teorie, ata po e bëjnë diçka të tillë për të fituar më shumë fuqi gjatë negociatave duke krijuar një gjendje krize. Një tjetër grup mendon se shpërthimi ndodhi për arsye të dinamikave politike brenda Penianit, pasi në vend po ndodh një lloj tranzicioni i pushtetit duke marrë parasysh gjendjen e keqe shëndetësore të udhëheqësit Kim Xhong Ill. Koreja e Veriut, si shumë vende në situatë të tillë, ndërmarrin akte dramatike për të treguar se janë të fortë në një moment pasigurie për ta”.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar fuqishëm provën bërthamore. Por analistët thonë se bota nuk ka shumë gjëra në dorë për t’i ushtruar trysni Koresë së Veriut që kjo e fundit t’i japë fund programit bërthamor.

Analistët gjithashtu vënë në pyetje të ardhmen e bisedimeve 6 palëshe, bisedime që filluan në gushtin e vitit 2003 me përfaqësues nga Shtete e Bashkuara, Rusia, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut.Peniani u tërhoq nga bisedimet pasi prova e tij e 5 prillit me raketa me rreze të gjatë veprimi u dënua ndërkombëtarisht.

Dejvid Kei, ish drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore beson se bisedimet kanë marrë fund.

"Bisedimet kanë marrë fund jo vetëm se Peniani nuk ka interes të kthehet në to, por edhe pse, të paktën në Uashington, por edhe nëpër botë askush nuk do të shpërblejë Korenë e Veriut përmes bisedimeve fill pasi Peniani ka kryer prova bërthamore”.

Megjithatë, Dejvid Ollbrajt thotë se vendosja e më shumë sanksioneve kundër Penianit nuk është zgjidhja e drejtë. Sipas tij, administrata amerikane duhet të dërgojë një mision të nivelit të lartë në Korenë e Veriut.

"Nuk duhen bërë as lëshime e as kërcënime. Sipas meje duhet të ketë një takim me udhëheqësin Kim Xhong Il për të sqaruar se ç’po ndodh. Gjërat duhen sqaruar para se të përshkallëzohen më tej. Historia na tregon se Koreja e Veriut është e kënaqur ta bëjë diçka të tillë dhe situata mund të marrë tjetër përmasë”.

Zoti Ollbrajt thotë se kërcënimet me sanksione dhe izolim garantojnë përshkallëzimin e situatës dhe jo kapitullimin e Koresë së Veriut. //ek

XS
SM
MD
LG