Lidhje

Disa të burgosur të Guantanamos mund të dërgohen në Europë


Një pjesë e personave që mbahen në objektin ushtarak amerikan të paraburgimit në Guantanamo mund të dërgohen në Europë.

Por ministri i brendshëm italian tha se kjo do të ndodhë vetëm pasi vendet e Bashkimit Europian të bien dakord njëzëri për t’i pranuar ata.

Ministri Roberto Maroni tha dje se zyrtarët pjesmarrës në samitin dyditësh të Grupit të Tetëshes në Romë nuk arritën ndonjë marrëveshje për të burgosurit e Guantanamos. Ai paralajmëroi se edhe nëse Bashkimi Europian vendos të pranojë disa prej tyre, ata duhet të dërgohen vetëm në ato vende që janë të aftë për t’i mbajtur në burg.

Trajtimi i të burgosurve të Guantanamos është kritikuar ashpër në Europë dhe në vende të tjera dhe Presidenti Obama po bën përpjekje për ta mbyllur këtë objekt.

Javën e kaluar, Italia tha se po studionte një kërkesë për të marrë dy tunizianë që mbahen në Guantanamo.

Edhe qeveria australiane thotë se po shqyrton mundësinë e marrjes së disa të burgosurve.

Ministri i Jashtëm Stivën Smith konfirmoi se administrata e zotit Obama i ka kërkuar Australisë të marrë disa të burgosur dhe tha se qeveria do ta shqyrtojë çështjen në mënyrë individuale për çdo të burgosur.
Australia kishte kundërshtuar dy kërkesa të mëparshme të ish presidentit Bush.

Gazeta Sydney Morning Herald njoftoi dje se Australia po shikon mundësinë për të marrë një pjesë të 17 ujgurëve që mbahen në Guantanamo. //ii

XS
SM
MD
LG