Lidhje

Obama: Ndërhyrja e aleatëve ndryshoi rrjedhën e shekullit të 20-të


Presidenti Barak Obama së bashku me presidentin francez Nikolas Sarkozi dhe udhëheqës të tjerë morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 65 vjetorit të ditës së zbarkimit të forcave aleate në Normandi të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më tepër se 150,000 trupa amerikane, kanadeze dhe britanike zbarkuan në plazhet e Francës veriore më 6 qershor 1944 për të çliruar Europën nga nazizmi.

Zoti Obama shkoi në Francë nga Gjermania ku vizitoi ish kampin e përqendrimit të Buhenvaldit të cilin e quajti “përgjigja më e goditur” për ata që mohojnë Holokaustin.

Zoti Obama i bëri komentet pas një ecjeje solemne në këtë ish kamp ku nazistët vranë rreth 56 mijë hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti tha se kishte parë furrat e djegies dhe barakat ku të burgosurit mbaheshin në kushte të paimagjinueshme. Ai tha se skenat nuk e kanë humbur tmerrin megjithë kalimin e kohës dhe se zemërimi dhe keqardhja për atë që ka ndodhur nuk janë shuar.

Duke folur gjatë ceremonisë, presidenti Obama tha se kjo ditë përfaqëson momentin kur njerëzit u bashkuan megjithë qëndrimet e ndryshme për të ndaluar siç e quajti zoti Obama ideologjinë shkatërruese naziste. Ai tha se ishte pikërisht kjo fitore që çliroi Europën dhe ndryshoi rrjedhën e shekullit të 20-të.

Zoti Sarkozi u bëri thirrje vendeve europiane dhe Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë me frymën e bashkimit për t’u përballur me kërcënimet aktuale globale.

Ai i bëri thirrje botës të mos harrojë kurrë dhimbjet dhe vuajtjet e luftës dhe të vazhdojë përpjekjet për paqe dhe drejtësi.

Kryeministrat e Britanisë dhe Kanadasë si dhe veteranë të luftës morën pjesën gjithashtu në ceremoninë e zhvilluar në Varrezën Amerikane pranë vendeve ku zbarkuan aleatët.

Po dje, në Dresden, zoti Obama foli për konfliktin izraelito-palestinez.

Pas bisedimeve me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti Obama tha se “tani është momenti i duhur” për të arritur një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se këtë vit mund të bëhet përparim serioz për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Si presidenti Obama edhe kancelarja Merkel shprehën mbështetje për krijimin e një shteti të qendrueshëm palestinez, që do të ekzistonte krah për krah Izraelit.//ek

XS
SM
MD
LG