Lidhje

Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë angazhimin për Ballkanin


Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, aleanca e përforcoi mesazhin se dyert e organizatës mbeten të hapura.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Gordon bëri dje një ekspoze të politikave të administratës së Presidentit Barak Obama në Evropë, ku theksoi se një nga përparësitë më të rëndësishme të administratës do të vazhdojë të jetë projekti historik amerikan për të ndihmuar në përhapjen e stabilitetit, sigurisë, mirëqenies dhe demokracisë në gjithë Evropën dhe Euroazinë.

Zoti Gordon, i cili fliste para nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, tha se për pjesën më të madhe të kontinentit, vizioni për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe, është kthyer në realitet. Shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, tha ai janë anëtarët të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por zoti Gordon shtoi se ende nuk është përfunduar ky proces për përhapjen e këtij vizioni dhe mirëqenieje në Jug dhe Lindje të Evropës.

“Vetëm me veprime kolektive, ne do të vazhdojmë të bëjmë përparim në këtë drejtim”, tha ai.

Duke folur për objektivat e administratës së Presidentit Obama në Ballkan, zoti Gordon tha se Shtetet e Bashkuara po tregojnë një rigjallërim të rolit udhëheqës në rajon, ku “mbi një dekadë pas ndërhyrjeve perëndimore, forcat e demokracisë, hapjes dhe botës moderne, ende përballen me nacionalizmin etnik të së kaluarës dhe intolerancën”.

“Në bashkëpunim me partnerët evropianë, tha zoti Gordon, ne po intensifikojmë angazhimin me udhëheqësit e rajonit dhe po bëjmë thirrje për reforma që do t’i çonin vendet e tyre drejt vlerave evropiane. Administrata jonë i kushton një rëndësi të madhe përfundimit të misionit të integrimit të plotë të rajonit të Ballkanit në komunitetit Euro-Atlantik. Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë për të garantuar një të ardhme paqësore dhe të begatë për rajonin”.

Ndihmës Sekretari i Shtetit tha se suksesi i Kosovës si një vend i pavarur mbetet një faktor me rëndësi kritike për stabilitetin e Ballkanit. Zoti Gordon tha se vendi i ri ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në 16 muajt që kur shpalli pavarësinë dhe theksoi se kjo pavarësi është e pakthyeshme.

“Udhëheqësit e Kosovës po i përmbushin angazhimet për të ndërtuar një demokraci shumëetnike, me masa mbrojtëse të gjera për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera. Qeveria ka treguar se Kosova ka vullnetin dhe aftësitë për të luajtur një rol konstruktiv si një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar. Sigurisht që shumë punë mbetet për t’u bërë. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Kosovën ndërsa ajo dyfishon përpjekjet për të ndërtuar aftësitë qeverisëse, për të zhvilluar një ekonomi të fortë dhe krijuar ambjentit e përshtatshëm për investimet, si edhe të vazhdojë me ritme energjike krijimin e një demokracie të konsoliduar dhe shumë-etnike”.

Duke folur për ndihmën amerikane, zoti Gordon tha se buxheti për vitin 2010 për Ballkanin reflekton një ribalancim që vaxhdon të ruajë fonde të konsiderueshme për Kosovën, rritje të ndihmës për konsolidimin e përparimit në Shqipëri dhe Maqedoni, për fuqizimin e reformave në Serbi dhe për t’u siguruar që Bosnja-Hercegovina i rikthehet rrugës drejt integrimit Euro-Atlantik.

Zoti Gordon e mori detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë muajin e kaluar, duke zëvendësuar në këtë detyrë zotin Daniel Fried. Nga viti 2000 në vitin 2009, ai ishte ekspert në Institutin Brookings.

Më parë ai ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ish-presidentit Klinton. Ai ishte një nga këshilltarët kryesorë për Evropën gjatë fushatës presidenciale të zotit Obama.//kk//
XS
SM
MD
LG