Lidhje

Gjeneral Klark: Sfida më e madhe për Kosovën zhvillimi ekonomik


Ish komandanti suprem i NATO-s gjatë fushatës së bombardimit të Aleancës kundër Serbisë, Uesli Klark, i tha Zërit të Amerikës se shkurtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë është hapi i duhur sepse ka ardhur koha të përdoret diplomacia. Ai i bëri komentet në një ceremoni të thjeshtë në ambasadën e Kosovës në Uashington, ku ishte kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Ish komandanti suprem i Natos, gjenerali në pension Uesli Klark erdhi në Uashington për t'i dhuruar Kosovës uniformën ushtarake që mbante në kohën kur drejtonte fushatën 78-ditëshe e cila çoi në largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.

Uniforma do të vendoset në një projekt të ri të Muzeut të Kosovës kushtuar Shteteve të Bashkuara. Uniforma iu dorëzua përfaqësuesve të projektit "Amerika për Kosovën" që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, gjenerali Klark komentoi së pari për planet e NATO-s për shkurtimin e trupave të KFOR-it:

"Kanë kaluar tashmë 10 vjet dhe ka ardhur koha që kjo të kapërcehet dhe të përdorim diplomacinë. E di se disa njerëz në anën tjetër nuk do ta pranojnë dot faktin se Kosova është një vend i pavarur por ka ardhur koha që të lejojmë historinë të ketë vendin e saj dhe të ecim drejt së ardhmes".

Gjenerali tha se sot sfidat për Kosovën janë po ato sfida me të cilat ndeshen të gjitha shtetet, si të përdoren të gjitha institucionet shtetërore dhe të krijohet një jetë më e mirë për të gjithë.

"Për Kosovën kjo nënkupton zhvillim ekonomik. Kosova është një vend pa det por mund të dalë në det përmes Shqipërisë fqinje. Në jug ajo ka dalje përmes Maqedonisë. Dalja nga veriu një ditë duhet të hapet. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit e Kosovës do të kenë mundësi të punojnë e të jetojnë si dhe të kujdesen për të ardhmen e familjeve të tyre, jo vetëm përmes bujqësisë tradicionale por edhe përmes teknologjisë moderne dhe industrisë, siç është përshembull prodhimi i energjisë elektrike. E gjitha kjo mund të realizohet në Kosovë por duhet mbështetje ndërkombëtare dhe investime. Kjo kërkon edhe një klimë të favorshme investimesh. Pra duhen ligje të mira dhe një fuqi e mirë punëtore".

Gjenerali Klark tha se në Kosovë ka tani një universitet amerikan dhe ky është një hap i madh përpara sepse sa më i lartë niveli arsimor aq më e dëshirueshme është klima për investimet e biznesit dhe sa më shumë invstime të bëhen aq më shumë vende pune krijohen. //iç//

XS
SM
MD
LG