Lidhje

Iran: Udhëheqësi i opozitës bën thirrje për protesta të reja


Udhëheqësi i opozitës, Mir Hosein Musavi bëri një deklaratë në të cilën mbështet protesta të mëtejshme kundër fitores së diskutueshme në zgjedhje të Presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Në deklaratën e publikuar të dielën në internet, zoti Musavi thotë se iranianët kanë të drejtë të protestojnë ndaj gënjeshtrave dhe mashtrimeve. Por ai u kërkoi mbështetësve të tregohen të përmbajtur dhe të mos përdorin dhunën.

Dëshmitarë në Teheran thonë se përkrahësit e Musavit dolën të dielën në tarracat e shtëpive për të hedhur parrulla që i bënin sfidë qeverisë.

Policia dhe milicia proqeveritare patrulluan të dielën rrugët e kryeqytetit pas protestave të përgjakshme një ditë më parë.

Televizioni shtetëror iranian njoftoi se të paktën 10 veta u vranë të shtunën duke e çuar numrin zyrtar të të vrarëve në 17 që kur filluan protestat.

Të dielën nuk pati njoftime për grumbullime masive por bllokada informative që ka vendosur qeveria e ka penguar mbulimin e ngjarjeve nga media e pavarur.

Të shtunën, policia përdori gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe pompa uji në përpjekje për të shpërndarë protestuesit, të cilët u grumbullaun megjithë paralajmërimin e udhëheqësit suprem Ali Khamenei për t’i dhënë fund protestave.

Media iraniane thotë se vajza e njërës prej figurave më të fuqishme të Iranit, ish-presidentit Hashemi Rafsanxhani dhe katër anëtarë të familjes së tij, u arrestuan gjatë protestave por më pas u liruan.

Një institut studimor britanik publikoi një analizë të rezultateve të zgjedhjeve në Iran ku përmend parregullsi të dukshme të cilat mund të mbështesin dyshimet se votimet u manipuluan.

Chatham House dhe Instituti i Studimeve për Iranin në Universitetin Seint Andrjus, thotë se në dy provinca konservatore, Mazandaran dhe Yazd, numri i votave të hedhura e kalon numrin e personave me të drejtë vote.

Nga rezultatet zyrtare, thuhet në studim, del se zoti Ahmadinexhad ka fituar votën e 47.5 përqind të njerëzve të cilët mbështetën kandidatët reformistë në vitin 2005. Studimi e quan këtë shifër tepër të pamundur.

XS
SM
MD
LG