Lidhje

Shqipëri: Përfundon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare


Votimet për parlamentin e ardhshëm u mbyllën në Shqipëri dhe kryetarët e dy partive më të mëdha, kryeministri Sali Berisha i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama i Partisë Socialiste falenderuan votuesit për pjesëmarrjen e lartë në votime.

Të dy ata thanë se ishte pjesëmarrja më e lartë ndonjëherë në votime. Si zoti Berisha ashtu edhe zoti Rama i bënë thirrje elektoratit të tregohen të duruar në pritje të rezultatit.

Zgjedhjet shihen si vendimtare në shpresat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Janë zgjedhjet e shtata të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit në vitet 90-të dhe vijnë vetëm pak muaj pas anëtarësimit në NATO. Asnjë votim i mëparshëm nuk ka plotësuar standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Së paku 3 mijë vëzhgues po ndjekin procesin zgjedhor ku 500 prej tyre janë prej vendeve të tjera. Deri tani nuk ka patur njoftime për parregullsi të theksuara.

I dërguari i posaçëm i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh tha se situata është relativisht e qetë. Ambasadori Bosh së bashku me ambasadorin amerikan dhe presidentin shqiptar ju drejtuan votuesve shqiptar përmes një konference shtypi duke theksuar shqetësimet e zgjedhësve për votime të drejta.

Ambasadori amerikan Xhon Uidhers tha se është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të lira, drejta dhe transparente. Uidhers tha se dëshira e popullit dhe jo aspiratat e partive politike duhet të jenë parimet themelore të zgjedhjeve. Shtetet e Bashkuara po financojnë një numrim paralel të votave për të përforcuar konfidencën e popullit në rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas anketave me pjesmarrësit që sapo kanë dalë nga qendrat e votimeve, duket që partia e kryeministrit Sali Berisha të jenë në avantazh ndaj Partisë Socialiste. Njoftimet paraprake zyrtare pritet të dalin në orët e para të ditës së hënë.//kh//


XS
SM
MD
LG