Lidhje

Shqipëri: Të majtët shkëmbejnë replika pas koalicionit PD-LSI


Në Shqipëri, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e sulmoi mbrëmë ashpër marrëveshjen e arritur mes Partisë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha dhe Lëvizjes Socialiste për integrim të zotit Ilir Meta. Ai e cilësoi zotin Meta si "paterica që ngriti në këmbë kryeministrin e rrëzuar". Zoti Meta ju përgjigj dje pozitivisht ftesës së Kryeministrit për tu përfshirë në një qeveri me të. Katër mandatet për deputet që sipas rezultateve ende të papërfunduara i takojnë LSI-së, i garantuan shumicës së zotit Berisha një mandat të ri katërvjeçar.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e quajti vendimin e djeshëm si më të vështirin që atij i është dashur të marrë gjatë gjithë karrierës së tij si politikan:

"E pranoj ftesën e kryetarit të koalicionit fitues, zotit Berisha për të filluar negociatat paraprake dhe për të realizuar me transparencë të plotë programin e Qeverisë së integrimit europian".


Zoti Meta e shpjegoi vendimin e tij me pamundësinë e gjetjes së një bashkëpunimi me Partinë Socialiste, me të cilën ata janë të ndarë prej më shumë se 1 viti, duke fajësuar për këtë kryetarin socialist Edi Rama, por edhe me nevojën, siç tha ai, për t’i dhënë stabilitet vendit. Me katër mandatet që partia e tij zotëron aktualisht, kryeministri Berisha fitoi qetësinë e numrave për qeverisjen e ardhshme.

Një qeveri monstër, do ta cilësonte në mbrëmje me një gjuhë të ashpër kryetari socialist Edi Rama ekzekutivin e ri që pritet të dalë nga bashkëpunimi PD-LSI:

"Ilir Meta nxitoi të bëhej paterica e Kryeministrit të rrëzuar, duke e ngritur në këmbë atë që ai vetë e quante deri para 6 ditësh, qeveria e Gërdecit. 83 mijë zemra opozitare, që në 28 qershor rrahën për largimin e kësaj qeverie dhe të këtij Kryeministri, u trafikuan sot nga Ilir Meta për të mbyllur sot me Sali Berishën, pazarin më të turpshëm të këtyre 18 viteve".


Në të vërtetë, më shumë se sa me Partinë Socialiste, e cila u përpoq haptazi që t'ja minimizonte rolin dhe peshën në skenën politike e veçanërisht atë të së majtës, LSI do të duhet të sqarohet me mbështetësit e saj. Me këtë lëvizje ajo duket se e bën kryetarin socialist Rama akoma më këmbëngulës për të evituar bashkëpunimin me këtë forcë politike:

"Mund të jemi parë si refraktarë ndaj mundësisë së një marrëveshjeje me Ilir Metën, e cila kështu siç tregojnë edhe faktet, do të kishte qenë fatale për Partinë Socialiste, edhe sikur të kishim patur ndonjë numër më shumë, sepse nuk do të kishte qenë vënia në jetë e projektit tek i cili besuan gjithë ata shqiptarë që bënë Partinë Socialiste forcën e parë politike në vend, por do të kishte qenë vazhdimi i një avazi të vjetër".

Ky kapërcim i LSI nga njëri breg në tjetrin mund t’i japë dorë kryetarit socialist Edi Rama, për një forcim të pozitave të tij pas zgjedhjeve të 28 qershorit të cilat pavarësisht se e rendisin Partinë Socialiste si forcë të parë në vend, e lanë atë sërish në opozitë.

Mbrëmë ai tha se për pozicionin e tij do të flitet pas mbylljes të të gjithë procesit zgjedhor:

"Unë jam i vendosur që ta udhëheq Partinë Socialiste deri kur procesit zgjedhor t’i vihet pika. Pastaj, unë kam sigurinë dhe bindjen e plotë se kjo është një familje politike, cila di të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur dhe, pa pikën e dyshimit, është një familje politike që pas pazarit të sotëm, më i neveritshmi pazar i këtyre 18 vjetëve, është më e madhe".


LSI reagoi në mbrëmje duke deklaruar se kryetari socialist duhet të administrojë qetësisht humbjen duke u shprehur se ai duhet të kërkonte falje për kodin zgjedhor i cili, sipas LSI, i la të majtës së paku 12 mandate me pak, ndërkohë që akuzoi Partinë Socialiste se ka vjedhur votat e LSI. //ii

XS
SM
MD
LG