Lidhje

Program për leje qëndrimi në Amerikë për investitorët e huaj


Disa kompani amerikane po përpiqen të tërheqin investime të huaja duke u ofruar leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara shtetasve të huaj për t'i nxitur të investojnë. Në kuadër të një programi pilot, autoritetet amerikane të imigracionit kanë miratuar krijimin e një numër qendrash rajonale, ku bëjnë pjesë korporata, organizata apo agjenci, të cilat mund t'u ofrojnë viza të tipit EB5 shtetasve të huaj që janë të gatshëm të investojnë paratë e tyre në projekte. Në vazhdim ju njohim me përvojën e menaxherëve të një kompleksi pushimesh pranë parkut të argëtimit Disney World në Florida, të cilët thonë se pas publikimit të programit, janë kontaktuar nga investitorë të interesuar nga pika të ndryshme të globit:

Kjo reklamë synon të nxisë investitorët e huaj t'i investojnë paratë e tyre në një kompleks pushimi pranë Disney World. Kompleksi Lake Buena Vista është një ndër 45 kompanitë që ka fituar identifikimin si "qendër rajonale" nga qeveria amerikane. Ky identifikim nënkupton se kompleksi ka të drejtën të japë mbi 100 leje për banim të përhershëm në Amerikë, për shtetas të huaj që kanë në dispozicion mbi 1 milionë dollarë për investime në projekte zhvillimi. Sipërmarrësi Larry Cohen thotë se gjendja ekonomike në vend e bëri të kërkojë fonde jashtë Shteteve të Bashkuara.

"Kemi marrë oferta nga blerës që donin të blinin apartamente pushimi, pra njerëz që kishin edhe dëshirën edhe paratë, por nuk ka fonde kreditimi në treg. Pikërisht ky është problemi".

Çdo investitor blen 2 apartamente pushimi në kompleks, secili me çmim rreth 400 mijë dollarë dhe më pas merr një përqindje të të ardhurave që nxjerr apartamenti nga turistët që e frekuentojnë. Qeveria i kërkon çdo investitori të huaj të hapë të paktën 10 vende pune në mënyrë direkte apo indirekte. Nga 10 mijë lejet e qëndrimit të përhershëm që mund të jepen çdo vit në shkallë kombëtare, 3 mijë janë veçuar për programin pilot të "qendrave rajonale" . Ofer Fridfertig mbikqyr operacionet në kompleks. Ai thotë se ka marrë mijëra kërkesa:

"Të paktën 45 për qind e vizitorëve në faqen e internetit janë nga Kina, nga ku na kanë ardhur shumë kërkesa për informacion".

Zoti Fridfertig shkoi kohët e fundit në Kinë në përpjekje për të tërhequr investitorë të interesuar për të siguruar banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Aplikimet për leje qëndrimi bazuar në investime u rritën ndjeshëm vjet, sipas Departamentit amerikan të Sigurimit Kombëtar. Një individ me leje të përhershme banimi mund të udhëtojë lirisht jashtë Shteteve të Bashkuara dhe të kthehet përsëri si dhe të jetojë përherë në Amerikë. Por avokati për imigracion Ramaçadran Balaraman thotë se interesimi për lejet e qëndrimit të

"Qeveria do të sigurohet se ato fonde që investohen vijnë nga burime të ligjshme. Pra të mos ketë para të pista".

Në Florida, administruesit e këtij kompleksi pushimesh pohojnë se 1 milion dollarë për investime është një shumë e konsiderueshme, dhe shtojnë se këto fonde do të ofrojnë një nxitje shumë të nevojshme për ekonominë. Po ashtu ky program do t'u ofrojë atyre që përmbushin kushtet, thonë ata, fillimin e një jete të re në Shtetet e Bashkuara.//iç//


XS
SM
MD
LG