Lidhje

Universiteti Veror i Prishtinës shembull i bashkëpunimit rajonal


Vënia e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit, e veçanërisht Serbisë, duket të jetë sfidë për institucionet e Prishtinës. Por marrëdhëniet e mira nuk duken të vështira për studentët e vendeve të rajonit. Këtë e ofron Universiteti Veror i Prishtinës, i cili për të nëntin vjet radhazi, mbledh rreth vetes studentë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe disa studentë nga Serbia.

Vllade Antonijevic është student nga Beogradi. Ai thotë se bashkëpunimi ndërmjet studentëve nga Kosova dhe Serbia mund të jetë shembull për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve.

“Mendoj se ky është një projekt i veçantë për bashkëpunim rajonal dhe për ndërtimin e paqes, por fatkeqësisht, të gjitha vendet e rajonit duhet të punojnë edhe shumë kohë dhe duhet të ndërtojnë një politikë pro-evropiane e cila bazohet në parimet qytetare dhje jo në parimet nacionale e cila na ka sjellë në këtë gjendje në të cilën jemi. Duhet ende mjaft punë por nëse I respektojmë të vlerat dhe të drejtat njerëzore demokracia mendoj se nuk do të jetë problematike," thotë Vllade.

Netta Moshe është studente nga Izraeli. Ajo, thotë se do të shfrytëzojë pjesëmarrjen e saj në Universitetin Veror të Prishtinës për të bërë edhe një studim për “Shoqëritë civile në shtetet e reja demokratike”.

“Unë kam ardhur në Universitetin Veror të Prishtinës pasi qëllimi im është që të bëjë edhe një hulumtim për “Shoqëritë civile në shtetet e reja demokratike”. Kosova është mundësia më e mirë për një studim të tillë”, thotë Netta.

Ajo ndjek kursin ‘Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian’. Profesori i këtij kursi, Afrim Hoti, thotë ndërkaq se Universiteti Veror i Prishtinës mund të shërbejë si shembull për vënien e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe shteteve të ndryshme të botës, përfshirë edhe atyre që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

“Mendoj se kursi që ofroj unë do t'u ndihmojë edhe studentëve ndërkombëtarë, të cilëve do t’u ofrojë njohuri të mjaftueshme për Kosovën sepse shumica e tyre nuk janë të njoftuar me problemin e Kosovës dhe me situatën e saj të tanishme, ndërkohë që studentët kosovarë do të përfitojnë për argumentet politike e juridike, kombëtare dhe ndërkombëtare në rrugë e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, meqë edhe vet kursi im quhet “Rruga e Kosovës drejt BE-së,” thotë zoti Hoti.

Të 16 kurset që organizon Universiteti Veror ligjërohen bashkërisht nga profesorë ndërkombëtarë dhe vendas. Jean Luc Lamboley është profesor i arkeologjisë në universitetin e Lionit, ndërsa këtë verë ka vendosur që të ligjërojë për studentët e Universitetit Veror të Prishtinës.

“Mendoj se më e mira e Universitetit Veror është fakti se është ndërkombëtar. Ndonëse në klasën time nuk ka shumë studentë të huaj, edhe ligjërimi i profesorëve ndërkombëtarë në këto kurse mendoj se është plus për studentët vendas," thotë profesori Lamboley.

Këtë vit Universitetin Veror po e ndjekin rreth 300 veta. Organizatorë të këtij projekti thonë se pjesëmarrja e studentëve nga vende të ndryshme po ndihmon në krijimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet studentëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Valon Thaçi është zyrtar administrativ në Universitetin Veror të Prishtinës.

“Qëllimi kryesor është pjesëmarrja e studentëve dhe profesorëve ndërkombëtarë, që ata të njihen më për së afërmi me gjendjen aktuale në Kosovë”.

Universiteti Veror i Prishtinës për të nëntën herë radhazi mbledh rreth vetes studentë nga vende të ndryshme të botës përfshirë edhe studentë nga vende të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas organizatorëve qëllimi është ndërkombëtarizimi i Universitetit të Prishtinës por edhe zgjerimi i njohurive dhe aftësive të studentëve në fusha të ndryshme të studimit. //bsa//

XS
SM
MD
LG