Lidhje

Prishtina: Kosova të mos lihet jashtë procesit të vizave


Përfaqësues të Shoqërisë Civile në Kosovë u kanë bërë sot thirrje 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të mos lënë Kosovën jashtë procesit të Lehtësimit të vizave.


Marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor e lë Kosovën jashtë këtij procesi. Por përfaqësues të organizatave të ndryshme në Kosovë, njoftuan se do t’u dërgojnë apel të gjithë parlamentarëve dhe udhëheqësve evropian që të rishqyrtojnë, siç thuhet, çështjen e lehtësimit të vizave për Kosovën.

Kryetari i Klubit për politikë të Jashtme, Veton Surroi, tha se Kosova e izoluar në procesin e lehtësimit të vizave, do të mbetet e izoluar edhe në proceset tjera drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Sot njëra prej formave me të cilat i shkelet dinjiteti qytetarëve të Kosovë nga një bashkësi ndërkombëtare e cila është e interesuar ta ndihmojë Kosovën, është në çështjen e vizave. Shkoni sot në ambasadat këtu në Kosovë ose në Shkup dhe do të shihni se si ka degraduar qasja ndaj qytetarëve të Kosovës dhe sot jemi më keq se që kemi qenë para 10- 15 vjetësh.”

Drejtori i Fondacionit për Shoqëri Civile, Luan Shllaku, thotë ndërkaq se lënia anash e Kosovës jashtë procesit të lehtësimit të vizave rrezikon që vendi të shndërrohet në një ‘geto vizash’ siç thotë ai, pa kurrfarë rrugëdalje. Kjo sipas tij, është një politikë diskriminuese e Komisionit Evropian ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Nëse nuk u dashka konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së për ta vendosur Kosovës në Listën e Zezë, të Shengenmit, atëherë nuk do të duhej konsensus as për ta future atë në listën e Bardhë të Shengenit. Natyrisht, nëse Kosova plotëson kushtet e nevojshme. Të izolohen qytetarët e Kosovës dhe të bëhet presion shtesë në serbët e Kosovës, duke i veçuar të gjithë si rrezik i posaçëm sigurie, është fyerje e pabazë. Propozimi i komisionit Evropian, e nënvlerëson mundin tonë për ta ndërtuar një Kosovë të hapur dhe shumetnike, Bashkimi Evropian, që është shpresa jonë e vetme për një të ardhme demokratike, duhet dhe mund të bëjë më shumë se kaq”, thotë zoti Shlaku.

Por Verena Knaus, nga Nisma Evropiane për Stabilitet, nuk mendon se procesi për lehtësimin e vizave lidhet shumë me njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo thotë se përderisa 27 shtetet e BE-së ishin të gatshme të pajtoheshin për ta vendosur Kosovën si tërësi territoriale në listën e zezë të Shengenit, të njëjtat shtete mund të pajtohen që ta vënë Kosovën në listën e bardhë.

“I vetmi argument i cili do të ndihmonte vendet e Ballkanit në procesin e liberalizimit të vizave, janë kushtet teknike të vëna nga Komisioni Evropian vite më parë, dhe ky është proces teknik i cili është dashur të përmbushet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”,
thotë Verena Knaus, duke shtuar se Kosova nuk ka arritur t’i plotësojë ato kushte.

Kosovën deri tani e kanë njohur 22 nga gjithsej 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Mosnjohja e pavarësisë nga pesë vende të këtij Bashkimit e vështirëson procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në një periudhë kur në këtë proces po përfshihen të gjithë fqinjët e saj, duke rrezikuar, siç thuhet, izolimin e shtetit të ri. //ii

XS
SM
MD
LG