Lidhje

SHBA: Kamionët hibridë ndihmojnë mjedisin


Japonia është në krye të tregut të automobilëve hibridë që përdorin benzinën dhe elekricitetin si burim energjie. Por përsa i përket tregut të kamionëve hibridë, Shtetet e Bashkuara duket se po dalin në krye. Sipas një studimi të fundit të Universitetit Duke, më tepër se 30 shtete merren me prodhimin, montimin ose studimin e këtij lloj kamioni. Sipas studimit, po të ndiqen politikat e duhura, industria amerikane e kamionëve hibridë do të zhvillojë të zgjerohet, duke krijuar vende të nevojshme pune dhe pakësuar ndotjen.

Berjerone Mason nuk ka turp ta pranojë se shkon me qejf në punë. Ai punon për kompaninë postare FedEX dhe e fillon ditën herët me ngarkimin e kamionit. Pastaj niset për të bërë shpërndarjen e 70 ose më shumë pakove.

Berjerone është i kënaqur me kamionin e tij. Sepse ky është nga të paktë kamionë të tipit diezel-elektrik që kompania FedEx përdor në zonën e Uashingtonit. Berjerone filloi të ngiste një kamion të tillë tre vjet më parë dhe vuri re ndryshimin se i lehtë ishte ky lloj automjeti në përdorim.

"Zakonisht, kur ngas një kamion me motor të rregullt, pra jo diezel, ve re se më duhet ta mbush serbatorin të paktën dy herë në javë. Ndërsa me këtë kamion, e mbush një herë në dy javë."

Rreth një muaj më parë, kamioni i tij ishte mes 12 automjeteve të tillë që u ekspozuan përballë kapitolit për një aktivitet me emrin kuptimplotë “Dita e hibridëve në Kapitol”.

Ja ç’thotë Bill Van Amburg, nënpresident i organizatës CALSTART, e cila inkurajon përdorimin e automjeteve me ndotje të ulët.

"Sot duam t’ju tregojmë një shembull mjaft interesant. E kemi fjalën për progresin e teknologjive hibride të cilat gradualisht po hyjnë në kamionët e mesmë dhe të rëndë."

Van Amburg thotë se rreth 1,000 kamionë hibridë qarkullojnë në rrugë ose janë në prodhim e sipër dhe ky treg në rritje pritet të ulë konsumin e karburantit, të pakësojë çlirimin e monoksidit të karbonit në atmosferë dhe t’i japë një nxitje ekonomisë me krijimin e vendeve të punës me teknologji të lartë dhe që ndihmojnë mjedisin.

"E kemi fjalën për projektet inxhinjerike, magazinimin e energjisë, materialet e lehta, elektronikën dhe programet kompjuterike për kontrollin e sistemit."

Për kompani si FedEx Corporation, mjetet hibride mund të kursejnë mjaft në shpenzimet për karburant dhe të theksojnë angazhimin e firmës ndaj të ashtuquajturave praktika të gjelbra.

John Formosano, nënpresident i firmës Global Vehicles për Fedex-in, thotë se do të dëshironte që qeveria të ndihmonte financiarisht për uljen e çmimit të kamionëve hibridë.

"Do të dëshironim të kishin stimuj nga qeveria federale dhe e shtetit për të përdorur këtë teknologji”.

Subvencione të tilla do të ndihmonin edhe prodhuesit e këtyre kamionëve thotë Bill Van Amburg, sepse, sipas tij, ashtu si ndodh me çdo teknologji, ndihma financiare e fillimit shton kërkesën dhe rrit prodhimin.

"Nëse arrijmë të prodhojmë 5,000 deri 10,000 kamionë në vit, do të arrinim që vetë teknologjia të sjellë uljen e çmimit dhe të justifikonte blerjen e kamionëve me shumicë. Është një objektiv shumë i mundur dhe transparent që i kemi vënë vetes."

Sa për shoferin e Fedex-it, Berjerone Mason, ai do të dëshironte të mos shkëputej nga kamioni i tij që kursen karburant dhe që nuk e ndot mjedisin.

"Nuk kam ndërmend ta le kamionin. Por kompania mund të caktojë një shofer tjetër për ta provuar atë që provoj unë tani. Dhe, nëse vjen puna aty, do të më duhet t’ua le të tjerëve."

Deri tani, dispeçerët nuk i kanë kërkuar të kalojë me kamion tjetër. //ii

XS
SM
MD
LG