Presidenti francez Nikola Sarkozi doli nga spitali ushtarak në Paris, ku u shtrua dje pas rrëzimit në kohën që po bënte vrap rreth Pallatit të Versajës.
Sipas njoftimit të zyrës së tij, analizat dolën normale. Duket se lodhja nga puna e tepërt dhe të nxehtit ndikuan në dobësinë e shkaktuar.
Zyrtarët thanë se zoti Sarkozi ka një problem të vogël me nervin që kontrollon të rrahurat e zemrës. Në njoftim po ashtu vihej në dukje se rrëzimi u shkaktua pasi ai kishte 45 minuta që bënte ushtrime intensive.
Para se të dilte nga spitali, një mik i familjes tha se zoti Sarkozi ndihej i uritur dhe kishte filluar të ankohej, që sipas tij, do të thotë se ai është tani mirë.
Presidenti 54 vjeçar e ka pasion vrapimin dhe biçikletën. Para tre javësh, zyrtarët francezë bënë publike analizat mjekësore të Presidentit Sarkozi, ku analizat e gjakut dhe ato të zemrës ishin normale. //ii