Lidhje

Obama bën thirrje për një epokë të re bashkëpunimi SHBA-Kinë


Presidenti amerikan Barak Obama po bën thirrje për një epokë të re bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Pola Uolfson njofton se zoti Obama thotë se pavarësisht nga mosmarrëveshjet, ka çështje të rëndësishme mbi të cilat dy vendet mundet dhe duhet të bashkëpunojnë.

Presidenti Obama thotë se Uashingtoni dhe Pekini duhet të bashkëpunojnë për të trajtuar problemet me të cilat përballet bota.

“Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të kenë ndikimin e tyre gjatë shekullit të 21-të, çka e bën këtë po aq të rëndësishme sa çdo marrëdhënie tjetër në botë. Kjo duhet të jetë në qendër të partneritetit tonë. Kjo është përgjegjësia që ne mbajmë së bashku.”

Presidenti i bëri komentet para zyrtarëve të lartë amerikanë dhe kinezë ndërsa ata filluan një takim dy-ditor në Uashington. Dialogu Strategjik dhe Ekonomik SHBA-Kinë zhvillohet për të diskutuar një program të gjerë që nga shqetësimet për monedhën e deri tek politika e jashtme.

Presidenti tha se zyrtarët duhet të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat në të gjithë botën, duke përfshirë recesionin ekonomik global, ndryshimin e klimës, dhe përhapjen e armëve bërthamore.

Ai përmendi programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.

“As Amerika dhe as Kina nuk kanë interes që terroristët të arrijnë të blejnë një bombë, apo të fillojë një garë armatimesh në Azinë Lindore. Prandaj ne duhet të vazhdojmë bashkëpunimin për të çnuklearizuar gadishullin korean, dhe t’ia bëjmë të qartë Koresë së Veriut se rruga drejt sigurisë dhe respektit arrihet duket përmbushur kushtet.”

Presidenti Obama foli gjithashtu për nevojën e konfrontimit të kërcënimeve që tejkalojnë kufijtë e një vendi. Ai foli për bashkëpunim në fushën e zbulimit për shpërbërjen e rrjeteve terroriste, dhe vendosjen e një sistemi të paralajmërimit të hershëm për kontrollin e sëmundjeve të rrezikshme.

“Të gjitha këto çështje e kanë burimin tek fakti se asnjë shtet i vetëm nuk mund t’i përballojë vetëm sfidat e shekullit 21, dhe as nuk mund t’i avancojë interesat e veta i izoluar. Është pikërisht ky fakt që na bën ne të bashkëpunojmë.”

Presidenti tha se ai nuk ka iluzione se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të bien dakort për çdo çështje, apo të kenë gjithmonë të njëjtat pikëpamje. Ai e bëri të qartë se do të vazhdojë ta ngrejë zërin për të drejtat e njeriut.

“Ashtu sikurse ne e respektojmë kulturën e vjetër të Kinës, arritjet e saj, ne po ashtu besojmë se feja dhe kultura e të gjithë popujve duhet të respektohet dhe mbrohet dhe se të gjithë popujt duhet të jenë të gëzojnë lirinë e fjalës. Kjo përfshin pakicat etnike dhe fetare në Kinë si dhe pakicat në Shtetet e Bashkuara.”

Presidenti Obama theksoi se pikërisht këto mosmarrëveshje e bëjnë dialogun edhe më të rëndësishëm. Ai tha se këto diskutime i japin dy palëve shansin të njihen më mirë me njëri tjetrin dhe të komunikojnë me sinqeritet. //bsa//

XS
SM
MD
LG