Lidhje

SHBA: Akuzohen 7 veta për terrorizëm, njëri është nga Kosova


Autoritetet amerikane ngritën akuza kundër 7 personave me banim në Karolinën e Jugut për të cilët thonë se kishin plane për të ndërmarrë sulme terroriste jashtë vendit. Njëri prej personave është nga Kosova.

Ata akuzohen se janë përpjekur për t’u siguruar mbështetje materiale terroristëve, si dhe për të vrarë, rrëmbyer, dhunuar dhe plagosur persona jashtë vendit.

Në aktakuzën e publikuar dje, thuhej se në qershor 2007, 39-vjeçari Daniel Bojd, që mendohet se është kryetari i grupit, dhe disa nga personat e tjerë të dyshuar, kishin shkuar në Tel Aviv dhe Gazë për t’u angazhuar në xhihadin e dhunshëm, por përpjekjet e tyre dështuan.

Prokurorët thotë se Bojd ka qenë në Afganistan dhe Pakistan mes viteve 1989 dhe 1992 për stërvitje ushtarake në kampet terroriste. Autoritetet thonë gjithashtu se Bojd dhe të dyshuarit e tjerë ishin stërvitur me armë automatike dhe ishin përpjekjur të mblidhnin para për sulme terroriste.

Në aktakuzë nuk thuhet nëse të shtatë personat kishin plane për sulme terroriste brenda Amerikës.

Nëqoftë se shpallen fajtorë, të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

Sipas zyrtarëve, 39 vjeçari Bojd, i njohur edhe me emrin “Sejfullah”, banonte me dy djemtë në një zonë periferike të qytetit Raleigh, ku bashkë me familjen merrej me shitjen e pllakave prej gipsi.

Akuza janë ngritur edhe ndaj dy djemve të tij, Zakaria, 20 vjeçar dhe Dilan, 22 vjeç.

Të tjerët janë Anes Subashiç, 33 vjeç, Mohamad Omar Ali Hasan, 22 vjeç dhe Zijad Jagi 21.

I vetmi person i arrestuar që nuk ka shtetësi amerikane është Hysen Sherifi nga Kosova, 24 vjeç, i cili është me banim të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Sipas aktakuzës, ai ka qenë në Kosovë për t’u angazhuar në xhihadin e dhunshëm por nuk është e qartë nëse ka marrë pjesë në ndonjë përpjekje me armë.

Në prill të këtij viti, ai është kthyer në Karolinën e Veriut që të mbledhë fonde dhe të gjejë njerëz në mbështetje të muxhahedinëve afganë por aktakuza nuk jep hollësi të tjera.

Disa nga personat e tjerë, duke përfshirë Daniel Bojdin dhe djemtë e tij, akuzohen gjithashtu për armëmbajtje pa leje dhe në aktakuzë thuhet se ata kishin mundur të siguronin armë të ndryshme, nga pistoletat te pushkët.

Në mars 2006, thuhet në aktakuzë, Bojd shkoi në Gazë dhe u përpoq të njohë njërin prej djemve me njerëz që gjithashtu besonin se xhihadi i dhunshëm është një detyrim fetar personal.

Një tjetër djalë i tij, Lukman, vdiq para dy vjetësh në një aksident automobilistik.

Rob Roegner, fqinj i Daniel Boidit e përshkruan atë me këto fjalë:

“Ishte njeri i mirë. E takova pas vdekjes së djalit por i kisha takuar edhe më parë kur sapo u vendosën në këtë lagje. Ishin njerëz të qetë. Natyrisht ata praktikonin fenë e tyre por nuk e shqetësonin aspak lagjen.”

Gjatë tre viteve të fundit, thuhet në aktakuzë, Bojd rekrutoi njerëz të gatshëm për të vdekur si martirë në emër të variantit të tij të fesë islame.

Në vitin 1991, Bojd dhe vëllai i tij u shpallën fajtorë për grabitje banke në Pakistan dhe u akuzuan se mbanin karta identifikimi që tregonin se ata i përkisnin grupit radikal afgan Partia e Islamit.

Nuk është e qartë se si autoritetet arritën të mësojnë për aktivitetet e personave të akuzuar, por prokurorët thonë se do të paraqesin prova të mbledhura në bazë të Aktit mbi Përgjimin. //ii

XS
SM
MD
LG